Pas deklaratës së Raportuesit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) Stefan Schennach lidhur me ndryshimet në ligjin për mediet online, ka reaguar edhe presidenti i republikës, Ilir Meta.
Meta shkruan se deklarata duhet reflektuar sa më parë dhe çdo kokëfortësi nuk i shërben çeljes së negociatave dhe nuk frikëson askënd.
“Duhet reflektuar sa më parë! Çdo kokëfortësi, jo vetëm që nuk i shërben çeljes së negociatave, por nuk do të frikësojë askënd. Përkundrazi!”
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca i cili shkruan në Facebook se çdo ndryshim në projektligjin anti-shpifje duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias mbi këtë çështje.
“Çdo ndryshim në projektligjin anti-shpifje duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias mbi këtë çështje. Autoritetet shqiptare janë zotuar të vazhdojnë të punojnë mbi këtë ligj për të adresuar të gjitha çështjet e përshkruara në Opinionin e Venecias. Ne jemi në dijeni të deklaratës së bërë të hënën nga mazhoranca se do të ndjekë këto rekomandime dhe se do të zhvillohen konsultimet e duhura.
Ne inkurajojmë autoritetet shqiptare të zhvillojnë konsultimet e nevojshme me organizatat e medies dhe shoqërisë civile duke marrë parasysh pikëpamjet e shprehura nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të medieve. Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër zhvillimet në lidhje me këtë legjislacion të rëndësishëm, në mënyrë që paketa të sillet në përputhje me të gjitha standardet përkatëse ndërkombëtare dhe evropiane.”