A po kryhen testime për COVID-19 në Graçanicë?

0
Gjigandi

Përkundër vendimit zyrtar që testimi me metodën PCR për koronavirus në Kosovë mund të bëhet vetëm në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kjo për një kohë është bërë edhe në një laborator në Graçanicë, me çmim nga 50 euro.

A.R nga Prishtina ka lexuar në rrjetet sociale se testimi bëhet në laboratorin “Human” në Graçanicë, aty ku shumica e popullatës është serbe, pavarësisht asaj se testimi me kërkesë personale nuk lejohet në Kosovë.

“E lexova në Facebook, dikush kishte dhënë këtë informacion dhe më pas unë i kontaktova dhe i pyeta se cila ishte procedura, por nuk e bëra testin”, thotë A.R për Radion Evropa e Lirë.

Përse ajo hoqi dorë nga testimi?

Sipas saj, ajo hoqi dorë nga testimi në laboratorin “Human” kur zbuloi se mostrat dërgohen në Serbi dhe se nuk ishte e sigurt që do të mund të kalonte pikën kufitare me Malin e Zi me anë të atij testi, pasi kishte planifikuar të kalonte pushimet verore në këtë shtet.

RonaTyra

Mali i Zi kërkon që të gjithë qytetarët e Kosovës që duan ta vizitojnë këtë shtet, të paraqesin një test negativ për koronavirus.

Në laboratorin “Human” në Graçanicë më 4 korrik kanë deklaruar për REL se në këtë laborator janë marrë disa mostra për testim për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Një doktor mban në dorë një strisho që është përdorur për të kryer një test PCR për një person të dyshuar me koronavirus. Foto nga arkivi.

Sipas infermierit Jovica Steviq, pas marrjes së mostrave, ato dërgohen për analizë në Shtëpinë e Shëndetit në Nish të Serbisë.

“Ata e analizojnë testin atje dhe më pas e dërgojnë rezultatin brenda dy ditësh”, tha Steviq dhe sipas tij, “gjithçka është e ligjshme”.

“Kishte rreth shtatë ose tetë pacientë, ata kryesisht kishin nevojë për testim për shkak se do të udhëtonin për Mal të Zi”, thotë Svetiq, nga laboratori “Human”.

Përgjigje nga Nishi

Por, Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga institucionet kompetente në Nish se askush nuk ka kërkuar që të analizohen mostrat për testimet për COVID-19 të marra në Graçanicë dhe po ashtu asnjë mostër nga kjo komunë në Kosovë nuk është dërguar në Serbi.

Në Serbi, testimi sipas kërkesës personale apo “testi komercial”, është i mundur që nga fundi i majit dhe qytetarët nuk janë të detyruar që të tregojnë arsyet se pse duan të testohen. Testi me kërkesë personale në Serbi kushton 6,000 dinarë apo 50 euro.

Në Kosovë, asnjë klinikë apo laborator privat nuk ka leje nga institucionet kompetente për të bërë testimet PCR, për të përcaktuar nëse virusi është aktiv.

REL më 4 korrik e ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës se a është në dijeni se një laborator në Graçanicë po merr mostra për testim për COVID-19.

Nga kjo ministri, të martën thanë për REL se denoncimi se ky laborator është i përfshirë në testime për COVID-19, është përcjellë në Inspektoratin Shëndetësor.

Ndërkohë, REL mëson se nga dita e martë, 7 korrik, ky laborator më nuk po merr mostra për testim për COVID-19.

Përndryshe, pas rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus në Kosovë, kryeministri Avdullah Hoti më 5 korrik ka thënë se Qeveria e Kosovës planifikon që të licencojë institucione private të kujdesit shëndetësor për të kryer testime.

Çka është testi PCR?

Testi PCR [Polymerase Chain Reaction] përcakton saktë se a ekziston virusi në trup dhe bazohet në analizën e mostrave të strishos në hundë.

Pas heqjes së masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, që shkakton sëmundjen COVID-19, shumë vende lejuan hyrjen në territorin e tyre vetëm me një test PCR me rezultat negativ, jo më të vjetër se 48 orë.

Aktualisht në Kosovë testohen vetëm ata persona që kanë simptoma të sëmundjes COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi se deri më 6 korrik, 79 persona kanë vdekur nga koronavirusi, ndërkaq numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 3,703.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu