Spitalit të Vushtrrisë, i shndërruar së fundmi në spital për trajtim të rasteve me Covid-19 për regjionin e Mitrovicës, i është dhuruar të shtunën një autoambulancë. Kjo është pjesë e donacionit të Bashkimit Evropian, për menaxhimin e pandemisë Covid-19.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani tha se do të vazhdojnë me mbështetjen edhe të qendrave të tjera komunale të cilat kanë nevojë për shërbime emergjente. Ai siguroi se kjo autoambulancë e dhuruar ka qëndrueshmëri të lartë, për çka ka kërkuar që të ruhet, meqë sipas tij ka kushtuar me qindra mijëra euro.
Lenjani: Kemi planifikuar që autoambulancën e tipit të avancuar ta dërgojmë në Vushtrri
“Kemi filluar me sigurimin e 10 autoambulancave, tri për QKUK-në me pajisje bazike dhe të avancuar, me të vetmen qëllim që spitalin ta dërgojmë tek pacienti, jo pacientin tek spitali. Dhe me anë të këtyre aktiviteteve në kuadër të shërbimeve emergjente mjekësore kemi planifikuar auto-ambulancën e tipit të avancuar ta dërgojmë në Vushtrri. Meqenëse ky komunitet nuk ka pasur të avancuar ndonjë autoambulancë dhe shumica e rasteve të cilat kanë qenë të transportuar kanë qenë me pak pajisje mjekësore. Kjo auto-ambulancë në veçanti përmban pajisjet mjekësore, monitoruese, diagnostike dhe imobilizuese, gjegjësisht menaxhimin e rrugëve bazike të avancuar”, ka thënë ai.
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, e drejtori e IKSHP-së, Naser Ramadani kanë vizituar të shtunën këtë spital, derisa kanë njoftuar për rastet e reja me korona virus.