Zvicra prezanton programin e ri të bashkëpunimit për Kosovën: Ndahen 86 milionë euro shtesë

0
6
Gjigandi

Duke u bazuar në dekada të miqësisë dhe marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve, Zvicra dhe Kosova po e shënojnë partneritetin e tyre të gjatë me rastin e lansimit të Programit të ri të Bashkëpunimit Zviceran për Kosovën për vitet 2022-2025.

Në një ngjarje të përbashkët të mbajtur në Prishtinë me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, partnerët dhe përfituesit, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly rikujtoi se mbështetja e Zvicrës ka qenë gjithmonë e nxitur nga përkushtimi për t’u ndihmuar qytetarëve të Kosovës dhe vendit që të ecin përpara.

Ambasadorja Ruth Huber, Zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Udhëheqëse e Departamentit për Bashkëpunim me Evropën Lindore, nënvizoi se përpjekjet e përbashkëta të Zvicrës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ndër të tjera, kanë kontribuar që:

 Më shumë se 600,000 qytetarë të përfitojnë nga qasja e përmirësuar në ujë në zonat rurale

 Më shumë se 630,000 qytetarë të kenë qasje në shërbime më të mira komunale

 Rreth 10,000 qytetarë të gjejnë punë

 Mbi një milion qytetarë, pra më shumë se gjysma e gjithë popullsisë së Kosovës, ta përmirësojnë shëndetin e tyre duke u informuar më mirë se si të parandalohen sëmundjet kronike.

Në emër të qeverisë së Kosovës, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, theksoi se rrugëtimi historik ndërmjet të dy vendeve ka nisur shumë vite më parë dhe përfshin marrëdhëniet ekonomike, politike, shoqërore e njerëzore.

”Këto marrëdhënie miqësore mes dy popujve sot janë më solide e më të fuqishme se kurrë më parë. Zvicra mbetet partneri i tretë më i madh i Kosovës për bashkëpunim dypalësh dhe investitori i dytë më i madh i huaj dhe ky program i ri do e ndihmojë edhe më shumë Kosovën dhe popullin tonë për forcimin e demokracisë, për zhvillimin e ekonomisë dhe për rritjen e mirëqenies” deklaroj ministri Aliu.

Programi i Bashkëpunimit Zviceran për Kosovën 2022-2025 thekson interesin reciprok të Zvicrës dhe Kosovës për ruajtjen e stabilitetit dhe nxitjen e prosperitetit në Kosovë, duke marrë parasysh sfidat e reja. I bazuar në përvojën e Zvicrës dhe në përputhje me prioritetet e përcaktuara nga Qeveria e Kosovës, Programi do t’I mbështesë tri fusha kryesore: Qeverisjen Demokratike dhe Paqen; Zhvillimin e Qëndrueshëm Ekonomik dhe Ndryshimet Klimatike, Ujin dhe Shëndetësinë.

Kontributi financiar i Zvicrës për katër vjetët e ardhshëm kap shumën 86 milionë euro.

Programi është zhvilluar me një qasje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Sekretariatin Shtetëror të FDFA-së për Paqe dhe të Drejta të Njeriut, Sekretariatin Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO) dhe Sekretariatin Shtetëror për Migracion (SEM).

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu