Pak ditë para ditëlindjes së tij të 50-të, Zinedine Zidane (lindur më 23 qershor 1972) foli për veten në një intervistë me bashkatdhetarët e tij nga ‘Telefoot’. Një vështrim nga e ardhmja, pasi ishte kthyer në të kaluarën dhe mes temave të trajtuara nuk mund të mungonte goditja famëkeqe me kokë e Marco Materazzi në finalen e Kupës së Botës 2006 në Gjermani, më pas e fituar nga Italia me penallti kundër Francës së tij.
“Nuk jam aspak krenar për atë që kam bërë, – kujton ish-mesfushori i Juventusit, – por është pjesë e rrugës sime”.
Një gjest që i kushtoi përjashtimin nga finalja e zhbllokuar prej tij me penalltinë “lugë”, e cila pastaj u barazua nga Materazzi. “Ishim në fillim të lojës dhe mendova se do të kishte ende kohë, – thotë Zidane.
– Kisha disa sekonda për të zgjedhur se si të gjuaja. Përpara kisha një portier që më njihte në mënyrë perfekte (shoku i tij nga Juventusi, Buffon), ndaj duhej të shpikja diçka. Ishte goditje teknike, kjo është e sigurt, por nuk mendoj se ka pasur çmenduri. Një penallti mund të jetë e gabuar, por në atë moment kjo është ajo që duhet të bëja”.
Finalja e vitit 2006 ishte një zhgënjim për Zidane, i cili fitoi Kupën e Botës, por më 1998, në Francë. “Momente që dëshiron t’i përjetosh kur je futbollist ose sportist i nivelit të lartë, – kujton ‘Zizou’, – janë si ato të vitit 1998. Festa me familjen, miqtë dhe krejt Francën ishte përrallore. Më duket sikur ka ndodhur dje”.
Ndër ‘perlat’ e karrierës së tij, pastaj goli i shkëlqyer i shënuar në finalen e Ligës së Kampionëve, i fituar në vitin 2002 me Real Madridin ndaj Bayer Leverkusen: “Nuk e di nëse ishte më i miri i karrierës sime, por në çdo rast ishte më i rëndësishmi. Deri në atë moment kisha fituar gjithçka, gjithçka që më duhej ishte Liga e Kampionëve”.
Një trofe më pas i fituar tri herë radhazi (nga viti 2016 deri më 2018) si trajner i Real Madridit: “Kam punuar shumë dhe kam pasur lojtarë të jashtëzakonshëm. Unë isha në krye, por kisha një ekip të frikshëm. Nuk mund të bësh asgjë i vetëm në futboll, më pëlqen empatia në ekipet e mia”.
Dhe si një ‘i papunë’ luksi pret një sfidë të re, që në Spanjë janë të sigurt se do të jetë në pankinën e kombëtares franceze: “Futbolli është pasioni im, ajo që dua. Pasioni është ende i madh brenda meje”.