Pas pezullimit të Luan Dacit nga detyra e gjyqtarin të Kolegjit te Posaçëm të Apelimit, mbledhja e gjyqtarëve të këtij institucioni vendosi zëvendësimin e tij në të gjitha proceset ku Daci është pjesë e trupave.
Sipas KPA, në 6 procese që po zhvillohen në shkallën e dytë të vetingut Daci është anëtar. Në 3 prej tyre gjyqtari i pezulluar është zëvendësuar nga Natasha Mulaj, në 2 nga Rezarta Schuetz dhe një Ina Rama. Por ky është zëvendësimi vetëm për proceset që janë duke u zhvilluar, ndërsa për gjyqet ku Daci është caktuar pjesë e trupave dhe ende nuk ka filluar shqyrtimi është i paqartë se si do të bëhet zëvendësimi.
Kolegji i Posaçëm shpreson që procesi gjyqësor, që pritet të fillojë në gjykatën e posaçme, të mbyllet në një kohë sa më të shkurtër në mënyrë që të mos ndikojë në mbarëvajtjen e punës.
Luan Daci u mor i pandehur katër 3 ditë më parë nga SPAK për akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Ai nuk ka deklaruar një masë administrative të marrë ndaj tij në vitin 1997. Këshilli i Lartë i Drejtësisë i asaj kohe e kishte shkarkuar nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.
Por ka ende një hapësirë ligjore që Luan Daci mos të merret i pandehur. Kërkesa e prokurorisë do të shqyrtohet nga gjyqtari i seancës paraprake, gjë e cila pritet të ndodhë në muajin shtator. Ky gjyqtar ka të drejtë që të pushojë hetimet nëse dosja e prokurorisë ka mangësi.
Gjithashtu, ai mund t’ia kthejë serish prokurorisë për veprime të tjera hetimore ose i jep të drejtë akuzës duke e kaluar dosjen për gjykim në gjykatën e posaçme.