Zbulimi i SHBA: Rusët kanë ofruar shpërblime për vrasje amerikanësh në Afganistan

0
Gjigandi

Zbulimi amerikan ka arritur në përfundimin se ushtria ruse u ka ofruar shpërblime militantëve të lidhur me talebanët në Afganistan për të vrarë ushtarë amerikanë dhe forca të tjera të koalicionit, njofton gazeta New York Times, duke cituar zyrtarë të informuar mbi çështjen.

Sipas gazetës, një njësi e inteligjencës ushtarake ruse, që ka lidhje me tentativa vrasjesh në Evropë, ka ofruar shpërblime për sulme të tilla gjatë vitit të kaluar. Ajo shkruan se militantë, ose elementë kriminalë të armatosur, të lidhur ngushtë me ta, besohet se kanë marrë një pjesë të parave të dhëna si shpërblim.
Ministria e jashtme e Rusisë reagoi, duke thënë se “Ky kazan primitiv informacioni tregon qartë aftësi të ulët intelektuale të propagandistëve në shërbimin amerikan të inteligjencës,” sipas citimeve të agjencisë së lajmeve RIA. Shtëpia e Bardhë, CIA dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare refuzuan kërkesat e agjencisë Reuters për koment mbi shkrimin e gazetës New York Times.
Presidenti Donald Trump është informuar për këtë përfundim të arritur nga inteligjenca amerikane, njoftoi gazeta. Shtëpia e Bardhë ende nuk ka autorizuar ndonjë masë ndaj Rusisë si kundërpërgjigje, shtoi ajo. Nga 20 amerikanët e vrarë në luftime në vitin 2019, shkruan gazeta, nuk është e qartë se cilat vdekje janë nën dyshime.
Pas gati 20 vjet luftimesh me talebanët, SHBA janë duke kërkuar një mënyrë për t’u larguar nga Afganistani dhe për të arritur paqen midis qeverisë së mbështetur nga SHBA dhe grupit militant, i cili kontrollon pjesë të mëdha të vendit.
Më 29 shkurt, SHBA dhe Talibanët arritën një marrëveshje që parashikonte tërheqjen me faza të trupave amerikane. Fuqia e trupave amerikane në Afganistan është ulur në afro 8,600 trupa, një shkurtim shumë më i madh nga sa parashikohet në një program për të cilin është rënë dakord me Talibanët.
Tërheqja e më shumë trupave është bërë pjesërisht për shkak të shqetësimeve rreth përhapjes së koronavirusit, thanë zyrtarët amerikanë dhe ata të NATO-s në fund të majit./VOA

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu