Së fundmi bëhet me dije se Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka tërhequr për hetim të gjitha dosjet e Leonard Dukës, njërit prej personave të shpallur në kërkim për vrasjen e ish-policit, Santiago Malko.
Ai është shpallur në kërkim nga policia që pas 27 gushtit të këtij viti dhe dyshohet se tek lokali i tij u ekzekutua ish-polici.
Pjesë e dosjes së tij është edhe një deklaratë e Miss-it Trejsi Sejdini, e cila thuhet se është e dashura e personit në fjalë.
Ajo është gjetur në shtëpinë e tij ditën e operacionit, më 8 prill 2019 dhe ka treguar ngjarjen sipas versionit të saj.
Deklaratën e saj e ka zbuluar “BallkanWeb”.
‘Në lidhje me këtë ngjarje është pyetur si person që ka dijeni për veprën penale, shtetasja Trejsi Sejdini, e cila është e dashura e shtetasit Leonard Duka, dhe u gjet në banesën e tij, në kohën që kanë shkuar punonjësit e policisë. Ajo ka shpjeguar veprimet e kryera prej saj gjatë asaj dite dhe faktin që ka folur në telefon me Leonard Duken, të cilin e njihte prej dy vitesh, pasi ishte i fejuari i saj. Kur ka shkuar në banesën e tij ka parë se aty ishin tre persona bashkë me Leonardin.
Sa ka hyrë në banesë ka shkuar për të fjetur në dhomë me Leonardin pasi ishte e lodhur. Në mëngjes rreth orës 08:00 ka qenë në gjumë, nuk e ka ndjerë Leonardin kur është ngritur, po ai i ka thënë të ngrihej se kishte ardhur policia për kontroll. Ajo nuk kishte dijeni në lidhje me fishekët e gjetur në banesën e Leonardit dhe armën e zjarrit të gjetur jashtë pallatit dhe sende të tjera’, thuhet në dosjen e Prokurorisë.