Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka kundërshtuar ashpër vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për shndërrimin e Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri, si Spital për trajtim të rasteve me Covid-19 nga Vushtrria dhe Mitrovica.
Madje, Tahiri ka thënë se institucionet e shëndetësisë nuk janë konsultuar paraprakisht me komunën e Vushtrrisë për këtë vendim, transmeton “Bota sot”
I pari i Vushtrrisë, e arsyetoj këtë kundërshtim të vendimit duke thënë se personeli shëndetësor i spitalit nuk kanë mjete mbrojtëse të nevojshme për punë, nuk ka ardhur stafi i paraparë nga spitali i Mitrovicës, në Spital ka hyrje-dalje të pakontrolluara nga qytetarët, në një oborr ndodhet edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ku gravitojnë numër i madh i pacientëve ambulantor.
“Duke qenë se Spitali i Mitrovicës ka numër më të madh të specialistëve me më shumë profile mjekësore, me më shumë staf dhe po ashtu, më shumë pacientë të dyshuar dhe konfirmuar me Covid-19, ju kërkoj që Spitalin Covid, ta bartni në Mitrovicë, meqë hapësirat e spitalit janë më të përshtatshme dhe nuk cënohen shërbimet tjera shëndetësore”, tha ai.
Postimi i plotë në Facebook :
I nderuar Ministër i Shëndetësisë, z. Armend Zemaj
I nderuar Kryesues i Bordit Drejtues të ShSKUK-së, dr. Xhevat Jakupi
I nderuar ud. Drejtor i Përgjithshëm i ShSKUK-së, dr. Valbon Krasniqi,
Të nderuar anëtarë të Komitetit për menaxhim të situatës me Covid-19 SHSKUK
Po ju shkruaj në cilësi të Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë dhe si kryesues i Shtabit Komunal për menaxhim të situatës me Covid-19, për të shprehur shqetësimin tim, shtabit komunal dhe qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë lidhur me Vendimin e Komitetit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për menaxhim të situatës me Covid-19, i cili ka shnëdrruar Spitalin e Përgjithshëm në Vushtrri, si Spital për trajtim të rasteve me Covid-19 nga Vushtrria dhe Mitrovica, pa konsultuar paraprakisht Komunën e Vushtrrrisë.
Si Kryetar i Komunës, në fillim nuk kam kundërshtuar këtë Vendim, duke pasur parasysh gjendjen epidemiologjike në tërë Kosovën dhe situatën emergjente në shëndetin publik, por më poshtë do të ju rendis disa nga arsyet pse ky Vendim duhet të revidohet, për çka edhe kam njoftuar sot në takim ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, dr. Valbon Krasniqi.
Së pari, prej ditës së parë të shpalljes së Spitalit për Covid-19, qytetarëve të Vushtrrisë është duke ju rrezikuar shëndeti, meqë nuk po mund të marrin shërbimet shëndetësore të nivelit dytësor në spital.
Kam pranuar shumë shqetësime nga qytetarët e Vushtrrisë, mjekët dhe infermierët e spitalit se stafi nuk ka mjetet mbrojtëse të nevojshme për punë. Stafi i paraparë të vije nga Spitali i Mitrovicës për 3 ditë nuk ka ardhur si mbështetje siç ka qenë e paraparë.
Po ashtu, bazuar në informatat që kam, në Spital ka hyrje-dalje të pakontrolluara nga qytetarët, ka mbi 100 vizitorë në ditë që paraqesin rrezik të madh për përhapje të infeksionit tek qytetarët, meqë edhe ashtu Komuna e Vushtrrisë është zonë me numër të lartë të të infektuarve dhe rasteve të kontaktit.
Punëtorët fizik që do të duhej të ndalonin prezencën e palëve nuk po kryejn punën e tyre.
Një shqetësim tjetër është se në hapësira të përbashkëta, në një oborr ndodhet edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ku gravitojnë numër i madh i pacientëve ambulantor dhe që rreziku është rritur pasi Spitali është bërë për trajtim të rasteve Covid.
Së fundmi, ka një fushatë të orkestruar kundër meje si Kryetar i Komunës, lidhur me këtë Vendim, e që nuk ka qenë i imi.
Duke qenë se Spitali i Mitrovicës ka numër më të madh të specialistëve me më shumë profile mjekësore, me më shumë staf dhe po ashtu, më shumë pacientë të dyshuar dhe konfirmuar me Covid-19, ju kërkoj që Spitalin Covid, ta bartni në Mitrovicë, meqë hapësirat e spitalit janë më të përshtatshme dhe nuk cënohen shërbimet tjera shëndetësore.
Duke shpresuar në reflektimin dhe mirëkuptimin tuaj, mbes me shpresë se do të tërhiqni Vendimin për shëndërrim të Spitalit të Vushtrrisë në Spital Covid dhe me këtë do ndihmoni shëndetit të qytetarëve të Vushtrrrisë dhe të filloni me bartje të pacientëve të dyshuar dhe konfirmuar me Covid-19 në Spitalin e Mitrovicës.
Xhafer Tahiri
Kryetar i Shtabit Emergjent Komunal
Kryetar i Komunës