Emerson Palmieri, futbollisti i kombëtares së Italisë dhe Chelseat, bëhet gati të rikthehet në Serie A, aty ku edhe Roberto Mancini, trajneri i të kaltërve, do ta kishte më të lehtë ta monitoronte në vitin e Europianit.
Vetë italo-braziliani, që dikur ka veshur fanelën e Roma-s, në një deklaratë të fundit ka dalë hapur se dëshira është të kthehet në Itali. Të interesuar për mbrojtësin e majtë janë si Interi, ashtu edhe Juventusi.
“Kam qenë shumë i lumtur në Serie A, jo vetëm në aspektin profesional, por dhe kultura e Italisë, qyteti ku jetoja. Prandaj kam zgjedhur të përfaqësoj ngjyrat e kombëtares italiane. Jam shumë i lidhur me atë shtet dhe dua të rikthehem”.
Një armë më shumë për Juventusin mund të jetë Maurizio Sarri, që e ka stërvitur në Londër, ashtu si vetë lojtari pohon: “Me Sarrin, luaja rregullisht dhe kishim raporte të mira. Isha i lumtur te Chelsea. Lampard është ndryshe, i ka idetë e tij të qarta dhe është shumë i admiruar nga të gjithë njerëzit që janë pjesë e Chelsea, por dhe tifozët. Një ribashkim me Sarrin? Kam punuar dhe me Conten më parë, mjafton të rikthehem në Serie A”.