Dita e madhe po vjen. Milani ka në duart e tij mundësinë për të fituar titullin e Serie A pas 11 vitesh “agjërim”. Herën e fundit u arrit kjo gjë me Massimiliano Allegri në stolin kuqezi. Konferenca e fundit sezonale për shtyp e Stefano Piolit ishte ndoshta më e përzemërta.
“Deri tani kemi qenë më të mirët, edhe nesër duhet të jemi më të mirët, – janë fjalët e trajnerit kuqezi për gazetarët e pranishëm. – Ne do të kemi nevojë për qetësi dhe vëmendje, si gjithmonë. Nuk është ajo që kemi bërë, por ajo që do të bëjmë nesër që vlen për titullin.
Do të duhet të jemi të kujdesshëm ndaj Sassuolos, e cila driblon mirë dhe ka shumë cilësi në çerekun e përparmë të fushës. A do t’i mbyllin sytë (flenë) lojtarët sonte? Unë mendoj se po. Shoh të njëjtën qetësi si gjithmonë te skuadra. Vetë shpresoj të fle pak nesër”.
Një mesazh edhe për fansat kuqezinj: “Së bashku jemi më të fortë. Nesër do të kemi nevojë për të gjithë, madje edhe ata që nuk mund të jenë atje. Pastaj nuk mund të ofroj asnjë siguri tjetër. Duhet ta tregojmë në fushë se jemi më të mirë se të tjerët”.
Pioli rikthehet të flasë për humbjen e famshme 0-5 në Bergamo, nga e cila nisi ngjitja deri këtu: “Ne kuptuam shumë gjëra, pastaj ardhjet në janar të Ibrahimovic dhe Kjaer e ngritën nivelin teknik të skuadrës. Nga ai moment filluam përsëri me një forcë tjetër”.
Për vështirësinë e zgjedhjeve të lojtarëve në një ndeshje kaq të rëndësishme: “I gjithë viti ishte i vështirë, përveç nëntorit, kur fatkeqësisht zgjedhjet u kushtëzuan për shkak të dëmtimeve. Stafi mjekësor u kritikua, pastaj u gjetën zgjidhjet”. Çfarë kërkon t’iu thoni Pioli fansave në funksion të transfertës në Reggio? Ja deviza e tij: “Forca Milan! Gjithmonë lufto!”
Disa fjalë edhe për Ibrën: “Ai kujdeset shumë, si të gjithë ne. Çdo lojtar mund të mendojë se do të jetë vendimtar. Ibra solli mentalitet dhe cilësi superiore për të gjithë. Ai bëri që një ekip i ri të rritet, duke u bërë vetë pikë referimi”.