Pas më shumë se 10 orë në dhomën e këshillimit, Gjykata për Krime të Rënda dënoi me 5 vite burg ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për “Shpërdorim detyre”, ndërsa rrëzoi 3 akuzat e ngritura nga Prokuroria.
Dënimi me burg i Tahirit u pezullua dhe kaloi në shërbim prove për tri vite. Ndërkohë, Prokuroria akuzonte Tahirin për “Trafikim të narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, por për Gjykatën këto akuza nuk faktohen me prova dhe për këtë është bërë ndryshimi i cilësimit të veprës penale, duke e gjetur fajtor për “Shpërdorim detyre”.
“I pandehuri Saimir Tahiri, duke mbajtur kontakte të tilla të pashpjegueshme me Habilajt, si dhe mosmarrja e masave për kanabizimin dhe përfshirjen e Policisë në këtë fenomen, ka konsumuar veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës”, tha gjyqtari, teksa lexoi arsyetimin se pse trupi gjykues kishte bërë ndryshimet.
Duke pranuar fenomenin e kanabizimit, gjyqtari Ardit Mustafaj tha se parcelat me kanabis në vitin 2016 në Vlorë janë konstatuar nga oficerë të Guarda di Finanza, ndërsa nga hetimet e kryera edhe për grupin e Taulant Haxhirajt, vërtetohet se ky kultivim është kryer në bashkëpunim me punonjës të Policisë vendore. Këta punonjës, tha gjyqtari, janë kapur në përgjime teksa kontaktojnë me anëtarë të grupit kriminal. Por me gjithë këto konstatime nuk vërtetohet implikimi i ish-ministrit në trafikimin e lëndëve narkotike të kultivuara në këto zona.
Teksa lexoi edhe vendimin e Gjykatës së Katanias për pushimin e hetimeve ndaj ish-ministrit, Mustafaj tha se bisedat e anëtarëve të grupit të Habiljave, të cilët pretendojnë për dhënien e përfitimeve ish-ministrit, nuk vërtetohen me asnjë provë dhe fakt tjetër, duke mbetur vetëm në kuadrin e dyshimeve. Më tej, Gjykata arsyeton në ndryshimin e veprës edhe me faktin se nuk vërtetohet një marrëveshje mes Tahirit dhe qoftë një anëtari të vetëm të Habilajve për krijimin e lehtësirave. “Vërtetohet se Moisi Habilaj ka përdorur emrin e ish-ministrit për të krijuar idenë e fuqisë, por nuk vërtetohet marrëveshja e tij me të paktën një anëtar të grupit, duke bërë që të mos vërtetohet akuza”, tha gjyqtari.
Prokuroria pretendonte se kishte provuar se anëtarët e grupit të strukturuar kriminal (Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Nezar Seiti, Armand Kocerri, Sabaudin Çelaj, Tigrens Mezuraj, Fatmir Minaj, Maridian Sulaj, Armando Sulaj) janë ndihmuar dhe mbështetur në aktivitetin e tyre kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike nga ana e funksionarëve të lartë të Policisë lokale Vlorë, si dhe të pandehurit Saimir Tahiri, me cilësinë e ministrit të Brendshëm.
I pandehuri Sokol Bode, thotë Prokuroria, duke qenë me detyrë shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, iu ka dhënë mbështetje të plotë, garanci e siguri bashkëpunimi anëtarëve të grupit kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike të ngarkuara në Dhërmi dhe Vlorë e më pas të trafikuara në Itali, ku janë sekuestruar nga autoritetet policore italiane.
“I pandehuri ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me pjesëtarët e grupit kriminal, Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj. Në këtë aktivitet kriminal, i pandehuri Sokol Bode ka bashkëpunuar me anëtarët e grupit kriminal dhe me punonjësit e Policisë, ishdrejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Jaeld Çela, dhe ish-shefin e Sektorit kundër Narkotikëve në këtë drejtori, Gjergji Kohila.
Nga hetimet e kryera, rezulton se i pandehuri Gjergji Kohila, me detyrë shef i Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, ka mbështetur dhe bashkëpunuar me pjesëtarët e grupit kriminal në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjithashtu, hetimi ka provuar se i pandehuri Jaeld Çela, me detyrë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurit Gjergji Kohila e Sokol Bode, kanë mbështetur, garantuar e bashkëpunuar me pjesëtarë të grupeve kriminale të lartpërmendura për kultivimin dhe trafikimin e narkotikeve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Vendimi
Gjykata vendosi: 1 deklarimin fajtor të të pandehurit Saimir Tahiri, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit të Procedurës Penale dhe dënimin e tij me 5 vite burgim.
2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Saimir Tahiri për veprën penale të “Grupit të strukturuar kriminal”, pasi nuk provohet vepra penale që akuzohet.
Të pandehurit Saimir Tahiri i ulet një e treta e dënimit dhe dënohet përfundimisht me 3 vjet e 4 muaj burgim. Urdhërohet pezullimi i vuajtjes së dënimit me burgim për të pandehurin Saimir Tahiri dhe vënien e tij në provë për një periudhë prej 3 vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.
Heqjen e së drejtës të pandehurit Saimir Tahiri për të ushtruar funksione publike për një kohë për tre vjet.
Argumenti
Është vërtetuar se nga monitorimi i Guarda di Finanza, është konstatuar se në vitin 2016 janë kultivuar kanabis sativa në disa zona të Vlorës.
Autorët e kultivimit të bimës narkotike kishin lidhje dhe bashkëpunim edhe me pjesëtarë të caktuar të Policisë së Shtetit dhe atij vendor, që lejonin aktivitetin e kultivimit të tyre. Përgjimet telefonike dhe komunikimet me mesazhe që u zbuluan nga ekspertimi i telefonit të shtetasit Taulant Haxhiraj, tregonin pjesëtarë të caktuar të Policisë flisnin në mënyrë të drejtpërdrejtë duke treguar qartë përfshirjen në këtë aktivitet.
Me vendimin 62, datë 23 prill 2018, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda që ka marrë formë të prerë, rezulton se të pandehurit Moisi dhe Florian Habilaj, në bashkëpunim me shtetas të tjerë dhe italianë, bënin trafikimin e lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.
Hetimet penale, të kryera nga autoritetet italiane, kanë vërtetuar aktivitetin e tyre në trafikim dhe nga viti 2013 në 2017 kanë arritur të sekuestrohen sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike, të trafikuar nga Shqipëria drejt Italisë. Në vijim, nga hetimi i kryer edhe në Shqipëri ndaj këtyre shtetasve, janë sekuestruar kanabis sativa në fshatin Babicë e Vogël, Vlorë, në banesën e shtetasit Armand Koçerri.
Në përgjimet ambientale të kryera nga autoritetet italiane, i pandehuri Moisi Habilaj, bashkëpunëtorët e tij dhe persona të tjerë shpesh lëviznin lirshëm dhe në veprimtarinë e tyre ata lejoheshin dhe favorizoheshin nga punonjës të Policisë së Shtetit në Shqipëri. /Panorama/