Vala e tretë e fshehtë e COVID-19, spitalet po braktisin të sëmurët e tjerë

0
Gjigandi

Duke i dhënë përparësi parandalimit të përhapjes së COVID-19, ne kemi shpërfillur pa dashje njerëz që jetojnë me sëmundje të rralla, kancer dhe kushte të tjera shëndetësore akute dhe kronike.
Gjatë pandemisë, kemi parë një rënie të konsiderueshme të diagnostikimeve dhe ekzaminimeve të reja të kancerit, ndërsa shumica e njerëzve që jetojnë me një sëmundje të rrallë, thanë se karantinat kanë shkaktuar ndërprerje në kujdesin klinik.

Kemi nevojë për zgjidhje krijuese për të siguruar që të gjithë mund të kenë akses ndaj kujdesit shëndetësor themelor, qoftë apo jo kohë krize.
Teksa një valë e dytë e COVID-19 pritet të godasë Pekinin, është shumë e qartë se epoka e karantinës nuk ka mbaruar ende, shkruan Forumi Ekonomik Global.

Pekini po mbyll sërish dyert e spitaleve, duke parandaluar kujdesin shëndetësor për nënat e ardhshme, pacientët me kancer dhe njerëzit që jetojnë me një sëmundje të rrallë ose kanë nevojë për operacione rutinë. Ekziston gjithashtu një debat mbi mënyrën sesi duhet regjistruar numri i vdekjeve të shkaktuara nga COVID-19: duke përfshirë jo vetëm njerëzit që vdesin nga vetë virusi, por edhe të gjitha viktimat periferike ose të humbura.

Duke i dhënë përparësi parandalimit të përhapjes së COVID-19, në një shkallë globale, ne kemi shpërfillur pa dashje ata individë që janë tashmë në prag të jetës dhe vdekjes: njerëz me gjendje shëndetësore kronike. Për njerëzit që jetojnë me kancer ose një sëmundje të rrallë, është një problem kur spitalet ua mbyllin dyert të gjithëve përveç pacientëve me COVID-19 – dhe kjo nuk mund të përsëritet në rastin e një mbylljeje të dytë.

RonaTyra

Vala e tretë

Tani për tani, ne duhet të adresojmë problemin e një vale të tretë në rritje: humbjen e shpejtë të njerëzve që luftojnë me sëmundje të tjera përveç COVID-19. Ne duhet të ndërmarrim veprime të menjëhershme për të parandaluar skenarë të vazhdueshëm, ku rreziku shëndetësor i mohimit të kujdesit për një sëmundje që nuk është COVID-19, është më i madh se vetë rreziku që shoqërohet me infektimin nga COVID-19.

Mjekët po detyrohen të qëndrojnë në prapavijë

Mjekët që nuk punojnë në sallën e urgjencës, njësinë e kujdesit intensiv ose pjesë të një spitali përgjegjës për sëmundjet infektive, nuk janë të aftë të kryejnë siç duhet punën e tyre, për shkak të mbylljeve aktuale. Kolegji Mbretëror i Praktikuesve të Përgjithshëm në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se në Irlandën e Veriut, 4 nga 10 mjekë të praktikës së përgjithshme nuk kanë qenë në gjendje të praktikojnë punën e tyre që prej fillimit të karantinave.

Sipas Kolegjit Amerikan të Mjekëve të Urgjencës, 70% e njerëzve janë shumë ose disi të shqetësuar për të shkuar në një institucion shëndetësor nga frika e infektimit me COVID-19. Ky rrezik i perceptuar, do të thotë se ka një numër shumë më të ulët të menaxhimit rutinor të sëmundjeve dhe ekzaminimeve parandaluese. Në sallat e urgjencës ka një rënie prej 50% të vizitave, që do të thotë se një numër i konsiderueshëm njerëzish janë duke pritur për të kërkuar trajtim, çka mund të çojë në dëme shëndetësore afatgjata apo edhe vdekje të parakohshme.

Shtrimet në spital për shkak të kushteve akute, vdekjeprurëse si ataku kardiak, goditjet në tru dhe apendiciti, janë gjithashtu në nivele të ulëta rekord, edhe pse niveli i këtyre sëmundjeve nuk ka të ngjarë të jetë ulur. Cigna, një shërbim për sigurimin e kujdesit shëndetësor në SHBA, zbuloi se shtrimet në spital kanë rënë me 35% për fibrilacionin atrial, 31% për atakun ishemik tranzitor, 28% për epilepsinë dhe konvulsionet dhe 24% për gjakderdhjet gastrointestinale, në krahasim me nivelet normale para bllokimit fillestar nga COVID-19 në SHBA.

Megjithëse telemjekësia po sjell një lloj lehtësimi, shumë kushte vdekjeprurëse të zakonshme, nuk mund të menaxhohen siç duhet nga një video chat ose një telefonatë me mjekun.

Rastet e reja të kancerit nuk po zbulohen

Çdo vit, 18 milionë njerëz diagnostikohen me raste të reja të kancerit. Në nivel global, kanceri është shkaku i dytë i vdekjes, përgjegjës për rreth 9.6 milionë vdekje – një në gjashtë persona – sipas të dhënave në vitin 2018.
Zbulimi i hershëm është me rëndësi kritike. Për shembull, me kancerin e qafës së mitrës, shkalla pesëvjeçare e mbijetesës është 93% kur diagnostikimi bëhet para se të përhapet kanceri, por vetëm 15% kur kanceri është në një fazë të përparuar. Dallimi i hershëm gjithashtu ul koston e trajtimit të kancerit. Shpenzimet për njerëzit që diagnostikohen herët janë dy deri në katër herë më të pakta sesa ato për personat e diagnostikuar në një fazë të mëvonshme.

Gjatë pandemisë, ka pasur ulje të konsiderueshme të diagnostikimit të kancerit. Gjatë 15 javëve të para të vitit 2020, testet e kancerit të qafës së mitrës u ulën me 68.2%, testet e kancerit të vezoreve me 33.8% dhe monitorimi i kancerit të gjirit me 17.4%, në krahasim me 15 javët e para të vitit 2019.

Pra, nuk është për t’u habitur që një firmë e analitikës së të dhënave vuri re një rënie prej 31% të numrit të pacientëve me kancer të diagnostikuar rishtazi në mars në SHBA. Konkretisht, numri i pacientëve me kancer gjiri ra me 8.4%, numri i pacientëve me kancer në vezore ra me 8.6% dhe numri i pacientëve me kancer kolorektal ra me 14%.

Njerëzit me sëmundje të rralla po braktisen

Ndoshta grupi më i goditur nga mbyllja thuajse totale e sistemeve spitalore janë 475 milionë njerëzit në botë që vuajnë nga një sëmundje e rrallë, të cilët presin mesatarisht 5-7 vjet për t’u diagnostikuar dhe më pas kanë vetëm 5% shanse për të marrë një mjekim të miratuar nga FDA-ja në SHBA. Në kohë normale, shumë njerëz që jetojnë me një sëmundje të rrallë shkojnë për t’u vizituar nga ekipi i kujdesit shëndetësor çdo javë, në mos më shpesh.

Në Europë, 9 në 10 persona që jetojnë me një sëmundje të rrallë pësuan ndërprerje në kujdesin për sëmundjen e tyre, dhe 6 në 10 persona e kategorizuan këtë ndërprerje si “tepër të dëmshme” për shëndetin e tyre. Për më tepër, 3 në 10 persona e perceptuan ndërprerjen si “pa dyshim” ose “ndoshta” kërcënuese për jetën e tyre.

Më shumë se gjysma e personave që kishin nevojë për operacion të menjëhershëm ose transplant, qenë të detyruar ta anulonin ose ta shtynin operimin. Së fundmi, 7 në 10 personave me një sëmundje të rrallë vazhdojnë t’i anulohen takimet me mjekë ose specialistë të kujdesit parësor – dhe kjo prek 25 deri në 35 milioë njerëz në Europë që vuajnë nga një sëmundje e rrallë.

Në mënyrë të ngjashme, nga rreth 25 milionë njerëz të prekur nga një sëmundje e rrallë në SHBA, 95% raportuan që COVID-19 ndikoi në shëndetin dhe mirëqenien e tyre në mënyrë të menjëhershme dhe afatgjatë. Për më tepër, 74% anuluan vizitat mjekësore, ndërsa 69% shqetësohen për mungesa në ilaçe dhe furnizime mjekësore.

Ndërkohë, numri i vogël i njerëzve që jetojnë me një sëmundje të rrallë dhe kujdesi shëndetësor i të cilëve u përcaktua si “thelbësor” çka do të thotë se u lejuan për t’u mjekuar në një mjedis klinik, u trajtuan sikur të ishin infektuar me COVID-19. Për t’u vizituar në klinika, shumë njerëz me sëmundje të rralla po rrezikohen në mënyrë të panevojshme ndaj infektimit me COVID-19.

Shumica dërrmuese e spitaleve në SHBA kërkojnë që të gjithë njerëzit, me ose pa COVID-19, të hyjnë në sallën e urgjencës dhe të kontrollohen për virusin përpara se të vazhdojnë emërimet në krahët e tjerë të spitalit. Pse nuk u mundësohet një hyrje e veçantë njerëzve me një sëmundje të rrallë, larg nga ekspozimi i mundshëm ndaj COVID-19? Pse po e vëmë në rrezik të madh për t’u prekur nga COVID-19 pikërisht pjesën më të brishtë të popullsisë, duke e ditur se janë të zakonshme vonesat e pritjes së pacientëve në spitale?

Ndërsa disa juridiksione planifikuan posaçërisht për të siguruar kujdes për njerëzit që jetojnë me sëmundje të rralla gjatë valës së parë të COVID-19, në shumicën e rajoneve në të gjithë botën, ka pasur një boshllëk në politikë, burime dhe masa në lidhje me sëmundjet e rralla. Të nxitur nga nevoja, komuniteti i njerëzve me sëmundje të rralla ka reaguar për ta mbushur këtë zbrazëti. Sidoqoftë, me rreth 475 milionë njerëz që jetojnë globalisht me një sëmundje të rrallë, mungesa e një qasjeje të përkushtuar, të koordinuar, të qartë dhe të arritshme për këtë grup është e ngjashme me lënien pas dore të kujdesit për vendin e tretë më të populluar në botë gjatë një kohe krize.

Kujdesi shëndetësor është thelbësor — në të gjitha format dhe për të gjithë njerëzit.

Ndërsa shumë spitale janë përpjekur të marrin vendime sipas rasteve specifike në lidhje me faktin se cilat procedura duhet të lejohen, një perspektive të përqendruar vetëm në minimizimin e trafikut të njerëzve i mungon një konsideratë thelbësore: i gjithë kujdesi shëndetësor është thelbësor.

Është koha për të përballuar “valën e tretë të COVID-19” që po rritet gjithnjë e më tepër: humbjet e parandalueshme nga sëmundjet e tjera të shkaktuara nga bllokimet. Politikanët dhe administratorët janë në një pozitë të vështirë, duke u përpjekur të përcaktojnë nëse vuajtja e pasojave të dhimbshme afatgjata dhe të dëmshme të të jetuarit me një sëmundje të rrallë ose vdekja nga kanceri, janë më pak “thelbësore” sesa vuajtja nga COVID-19 apo vdekja nga ndërlikimet e tij.

Ekziston një mundësi e madhe për t’i përkthyer sukseset dhe për të mësuar nga dështimet, në menaxhimin e valës së parë të pandemisë COVID-19. Si fillim, administratorët e kujdesit shëndetësor duhet të marrin në konsideratë ndarjen e shërbimeve COVID-19 nga shërbimet po aq të nevojshme, siç janë diagnostikimi i kancerit ose ndërlikimeve nga sëmundjet e rralla. Mund të krijoheshin orë të veçanta vizitash për pacientët e paprekur nga COVID-19, të ngjashme me dyqanet ushqimore që pranojnë vetëm të moshuar, ose mund të mundësohen vizita mjekësore drive-through për të lejuar kujdesin shëndetësor ballë për ballë ose shpërndarjen rutinë të vaksinave.

Dinamikat e të jetuarit me një sëmundje dhe pandemi karakterizohen nga izolimi, pasiguria dhe nevoja të përbashkëta, si – lidhje, risi, përdorimi i ilaçeve për qëllime të ndryshme terapeutike, prova klinike dhe vaksina të reja, korniza rregullatore të posaçme dhe efikase, ndërveprim i koordinuar shumëpalësh, ndërhyrje akute dhe e vazhdueshme, komunikim dhe përdorim i qartë dhe i qëndrueshëm i gjuhës, dhe një përgjigje globale e shëndetit publik.

Nuk mund të konsiderojmë përgjigjen ndaj COVID-19 si “thelbësore” dhe trajtimin për njerëzit që vuajnë nga sëmundje të tjera si “jo thelbësore”. Zgjidhjet kreative janë shumë të nevojshme për të siguruar që popullsia globale mund të ketë akses ndaj kujdesit themelor shëndetësor, qoftë apo jo kohë krize./Monitor

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu