Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar një tjetër vendim të komisionit të vlerësimit të ofertave të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Bëhet fjalë për procedurën që lidhet me rehabilitimin e segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta- Rrethrrotullimi Shqiponja” Loti I. Komisioni i Prokurimit Publik ka pranuar ankesën e depozituar nga bashkimi i operatorëve ‘Salillari’ dhe ‘Bajrami N’ duke e kualifikuar këtë bashkim operatorësh.
Vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik e ka gjetur si të jashtëligjshëm skualifikimin e operatorit Salillari nga gara i cili është diskriminuar sipas tij në vlerësimin e tenderit, duke e bërë atë si ofertën e suksesshme. Fondi limit i vendosur në dispozicion për këtë segment është 2.2 miliardë lekë. Por, kjo vendimmarrje mund të ndryshojë rrjedhën e fituesit, pasi Salillari ka paraqitur ofertën më të ulët prej 1.77 miliard lekë, krahasuar me kompaninë vëllezërit Hysa oferta e të cilëve ishte 1.78 miliard lekë.
Më herët në tenderin e zhvilluar në muajin Qershor morën pjesë 8 kompani, 5 prej të cilave u skualifikuan nga gara duke vazhduar gara vetëm për 3 ofertues “Vëllezërit Hysa”, “Curri shpk” si dhe “Vega”. Ky është tenderi i tretë i zhvilluar për këtë segment rrugor. Punimet për këtë pjesë të unazës janë kthyer shpesh në qendër të akuzave dhe debateve për shkak të skandaleve të mëdha të ndodhura.