Trajneri i Flamurtarit ka kontestuar shumë gjatë ndeshjes, por i ka shprehur akuzat e tij “troç” dhe shqip edhe në deklaratën e dhënë për mediat në përfundim të sfidës.
“Për mua nuk ishte penallti ajo që na u akordua kundër. Ishte një gabim i madh që u vërshëllye si 11-metërsh. Pashë një arbitër, që sipas meje, është zero (e thotë shqip, ndërsa pjesa tjetër e intervistës është në anglisht). Mbase për ne nuk ishte një ditë e mirë, mirëpo që në fillim na u dhanë faulle të shumtë kundër, kartonë të verdhë dhe në fund të ndeshjes akordoi pesë minuta shtesë, por në fakt u luajtën tetë. Ishin tri minuta lojë më shumë sesa u akorduan. Pasi u shënua goli u mbyll ndeshja dhe ky është një veprim që unë nuk e kuptoj. Megjithatë, kjo nuk është puna ime.
Unë mund të them se më pëlqeu ekipi për atë që bëri. E di që kemi lojtarë të rinj dhe sot (dje) kam testuar shumë të rinj.
Jam i lumtur për lojtarët. Arbitrat? Sot (dje) unë nuk e humba ndeshjen. Më falni, por nuk e kam humbur ndeshjen. E përsëris: skuadra ime ka luajtur futboll sot dhe kemi humbur prej një personi tjetër”, ka deklaruar në fund të ndeshjes Marselo Troisi, ndërsa homologu i tij Vejlko Dovedan nuk është prononcuar për mediat.