E ardhmja e sulmuesit kosovar të Fenerbahces, Vedat Muriqit, vazhdon të jetë ndër temat më të spekuluara në mediumet turke. Së fundi raportohet se trajneri i West Bromit, Slaven Bilic, e ka marrë vetë në dorë detyrën për ta bindur ate.
Gazeta turke Fotomac raportohet se trajneri kroat i klubit anglez, që garon në ligën e nivelit të dytë të futbollit në Angli por është në pozitë për t’u promovuar në Premierligë, e ka telefonuar Vedat Muriqin së fundi.
Bilic besohet t’i ketë thënë Muriqit: “Unë po të pres. Ju jeni një sulmues shumë i mirë dhe keni qenë në këtë formë që një kohë të gjatë. Dua të ju kem në Ëest Brom nga sezoni i ri”.
Muriqi raportohet të ketë qenë i kënaqur nga ky interesim i trajnerit, duke iu përgjigjur: “Do të ishte kënaqësi e madhe për mua të punoj me juve. Do të më pëlqente shumë të luaja në Angli”.
Megjithatë, West Brom nuk do ta ketë të lehtë ta sigurojë transferimin e futbollistit, pasi që përveç tyre, edhe Lazio, Tottenhami dhe Manchester Unitedi raportohen të jenë të interesuar për kosovarin.
Kosovari i ka shënuar 17 gola dhe i ka bërë shtatë asiste në 33 ndeshjet e zhvilluara gjatë këtij sezoni me Fenerbahcen në Superligën turke dhe në Kupën e Turqisë, ndërsa ka shkëlqyer edhe në paraqitjet për Kosovën.