Kolë Nikja nga Velipoja, ka arritur të kthehet te tokat e të parëve të tij ashtu si shumica e banorëve në veri të vendit. Por, problemi i tij sot është se nuk arrin të marrë certifikatat e pronësisë për 25 dynymë tokë që i posedon fizikisht pas rënies së sistemit. Për këto troje nuk ka asnjë pretendent tjetër veç familjes Nikja dhe nuk ka mbivendosje.
“Këto prona i kemi trashëgimi, edhe të ndara me komisionin e 7501, u kthye dosja nga hipoteka në Bashki me pretendimin se zona e pronës është zonë e bregdetit, e bllokuar me vendim qeverie”, rrëfen Kolë Nikja, denoncues.
Ai zotëron edhe një vendim gjykate të vitit 2017 që i njeh pronësinë për parcelat e pretenduara. Nikja depozitoi sërish dosjen dhe Hipoteka e kthen për herë të dytë. Arsyeja që nuk u regjistrua ishte e ndryshme nga e para.
“Ne jemi banorë të fshatit Sektor, me pasaportizim, prona ndodhet në fshat tjetër Pulaj-Plazh, pra që bie ndesh me ligjin 7501 se prona është në fshat tjetër dhe banori në fshat tjetër, prona ndodhet në Pulaj, që në fakt është një rrugë ndarëse kufi mes dy fshatrave”, rrëfen Kolë Nikja, denoncues.
Veç faktit që rezulton me pasaportizim në një fshat tjetër Nikja, nuk po arrin të marrë dot certifikatën e pronësisë për një arsye të dytë që e pengon. “Fshati Velipojë ka qenë kooperativë bujqësore, matanë rrugës, ndërsa Pulaj në ‘92 ka qenë subjekt i Ndërmarrjes Bujqësore në Velipojë, kjo është arsyeja që nuk përkon me ligjin 7501”, rrëfen Kolë Nikja, denoncues.
Ky denoncues nuk po gjen dot të drejtën pavarësisht se prona i është njohur edhe nga gjykata, ndërkohë abuzuesit me trojet në bregdet kanë siguruar certifikatat e pronave të vjedhura.
“I janë dhënë të tjerëve që s’kan pas as pasaportizim në Velipojë, kanë ardhur me korrupsion i kanë marrë sipërfaqen e tokës”, rrëfen Kolë Nikja, denoncues.
Familja Nikja në Velipojë nuk merr dot certifikatat e pronësisë me argumentin se nuk ka qenë banore e fshatit në kohën e ndarjes së tokës, por, në një tjetër denoncim të mbërritur në redaksinë e Top Story, kemi zbuluar se ky standard është shkelur hapur diku tjetër. Arjan Moçi nga fshati Kryegjatë i Fierit, në vitin 1994 është njohur si pronar i ligjshëm nga gjykata për 17 hektarë tokë, të cilën e trashëgonte nga babai Andrea Moçi.
Sot e kësaj dite ai nuk ka mundur të marrë certifikatat e pronësisë pasi toka është ndarë sipas ligjit 7501, edhe pse kjo binte në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Moçi ka kallëzuar penalisht ish – kryekomunarin e Dërmenasit, zyrtarë të ndarjes së tokave dhe përfitues. Siç rezulton nga shqyrtimi gjyqësor, vetë zyrtarët e ndarjes së tokave kanë pranuar se u është dhënë tokë nga parcela e familjes Moçi edhe familjeve me pasaportizim nga fshatrat Radostinë, Shtyllas e Havaleas. Kjo, përbën shkelje të hapur të ligjit 7501 që përcakton qartësisht se përfituese janë familjet me pasaportizim në fshatin përkatës. Moçi endet sot dyerve të drejtësisë duke akuzuar zyrtarë e ish-zyrtarë për uzurpimin e pronave të familjes së tij që në total përbëjnë një hapësirë prej 32 hektarësh.
Burimi: top-channel.tv