PSG nuk e ka ndërmend ta lë të largohet Mbappen. Edhe Neymar ka të ardhme në Francë. Klubi synon t’ia vazhdojë kontratat dyshes që lidhen me Real Madridin dhe Barcelonë.
Paris Saint Germain dëshiron që dalëngadalë të shndërrohet në një ndër klubet më të mira në botë dhe të qëndrojë në nivele të larta ashtu si shumë klube evropiane përgjatë historisë, si Real Madrid, Barcelona, Juventus, Bayern Munich, Manchester United etj etj.
Për ta bërë këtë, natyrisht në skuadër duhet të ketë më të mirët.
Kështu, pavarësisht spekulimeve se Kylian Mbappe herët apo vonë mund të largohet në drejtim të Real Madridit, apo edhe Liverpoolit, PSG sërish ka treguar se 21-vjeçari është e ardhmja e klubit dhe presin që ai të shënojë një epokë në Paris, ashtu sic kanë bërë Cristiano Ronaldo në Manchester United dhe Real Madrid, e Lionel Messi në Barcelonë.
Mbappe shihet zëvendësuesi ideal për dyshen në fjalë kur t’i varin atletet.
Për shumë analistë, vetëm Mbappe mund t’i arrijë shifrat e jashtëzakonshme që i kanë arritur gjatë karrierës Messi dhe CR7.
Leonardo, drejtori sportiv i klubit parisien, gjithashtu foli edhe për Neymarin.
“Ata që të dy kanë edhe dy vite kontratë me ne dhe nuk kemi për çfarë të flasim rreth kësaj çështje”, tha Leonardo.
“Mbappe është e ardhmja e PSG-së. Të gjithë e duan këtë. Skenari më i mirë për të do të ishte të zgjatë kontratën. Ai është në mesin e pesë futbollistëve më të mirë në botë. Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo janë 32 dhe 35, Neymar dhe Mbappe janë 28 dhe 21 dhe ata janë me ne.
“Ne duhet të përfitojmë me prezencën e tyre sepse janë fantastik. Duhet të gjejmë një zgjidhje për të vazhduar punën së bashku”.
“Me Neymarin s’kemi folur më çfarë ndodhi verën e kaluarën (mundësia për t’iu bashkuar Barcelonës). Ai ka qenë shumë i lumtur këtu dhe i përkushtuar në skuadër”.