Frank Lampard këmbëngul se Chelsea ka shumë punë të vështirë për të bërë, në mënyrë që ta arrijë nivelin e kampionit të Premierligës, Liverpoolit dhe të Manchester Cityt, pas humbjes tronditëse kundër West Hamit të mërkurën.
Chelsea pësoi disfatë çuditëse 3:2 kundër West Hamit, i cili i largohet për tri pikë zonës së rënies nga liga falë golit në minutën e fundit nga Andriy Yarmolenko në Stadiumin e Londrës, transmeton Front Online.
Dygolëshi i Willian nuk i mjaftoi Chelseat për ta siguruar të paktën një pikë në udhëtim dhe ky rezultat i jep fund ecurisë së Chelseat prej gjashtë ndeshjeve pa humbje në të gjitha garat.
Chelsea mbetet në pozitën e katërt në tabelë, por vetëm me dy pikë më shumë se Manchester Unitedi dhe se Wolves, që renditen në pozitat pesë dhe gjashtë përkatësisht, kur kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ndeshje në garë për kualifikim në Ligën e Kampionëve.
I pyetur nëse shqetësohet se Chelsea i tij ka problem me mendësinë pas formës së luhatshme në sezonin 2019/20, Lampard tha: “Kjo është diçka që ka ndodhur disa herë këtë sezon. Kemi pasur mundësi për ta ngushtuar hendekun dhe për t’i kaluar epiket tjera për shkak të rezultateve të tjera”.
“Por nuk e kemi bërë dhe kjo është shenjë e asaj ku ndodhemi tani. Ne jemi të vetëdijshëm se kemi shumë punë të vështirë për të bërë, në mënyrë që të arrijmë aty ku duam të arrijmë dhe arsyeja pse ne po e ndjekim Liverpoolin dhe Manchester Cityn është vazhdimësia e cila zhvillohet me kohë. Në këtë duam të punojmë ne”, shtoi ai.