Pas mbledhjes në PD, Edi Paloka ka folur para mediave duke thënë se kanë kërkuar dorëheqjen e Enkelejd Alibeaj nga posti i kryetarit të grupit parlamentar duke qenë se ka kryer emërime pa pyetur askënd.
Paloka: Fryma e grupit është e kundërta, është vetëm një grup prej 2-3 deputetësh që ndjekin axhendën Basha Rama.
Si do e shkarkoni Alibeajn?
Paloka: Edhe në statutin që ka qenë, nënkryetari i partisë është dhe kryetari i grupit parlamentar. Më 30 prill do të zgjidhen të gjitha organet drejtuese. Është Alibeaj që e ka sjellë situatën në këtë pikë, jo vetëm po ecet me axhendën që nuk është e PD por janë kryer veprime që mund të jenë banale dhe tregojnë mentalitetin se si po ecën ky grup i vogël. Pa asnjë tagër, Alibeaj ka bërë këtë javë një numër të madh emërimesh në kokë të tij pa pyetur askënd.
Këto më duken si banalitete që tregojnë realitetin dhe nuk i shërbejnë interesit të askujt. Nuk ka asnjë logjikë që të rrëzohet vendimi i mbi 4000 e ca delegatëve të PD. Vendimin e kanë marrë anëtarët. Ne do të ndjekim të gjitha hallkat e aspektit ligjor. Ne nuk përjashtojmë njeri. Kur ndjek axhendën e Ramës, nuk mund të bësh axhendën e Ramës me PD. Është Kuvendi i PD që vendos çdo gjë.