Një studim i ri i ekspertëve holandezë të Institutit Max Planck në Nijmegen, ka marrë në konsideratë disa nga aftësitë e pabesueshme shqisore të lakuriqëve të natës, me anë të hartimit të të ADN-së së tyre.
Ata thonë se kjo sjell shpresë për krijimin e mjekimeve të reja kundër kancerit, për terapi kundër plakjes e madje dhe për kurimin e koronavirusit.
Autorja Dr Sonja Vernes foli për zbulimet e reja mbi aftësitë e lakuriqëve për orientim-vendndodhje, për perceptimin e tyre shqisor dhe imunitetin ndaj infeksioneve.
“Ky punim përfaqëson një burim të pasur për kuptimin e bazës gjenetike të përshtatjes së lakuriqëve, dhe mund të ketë implikime për shëndetin dhe sëmundjet njerëzore. Për shembull, hartimi i genomit ndihmon studimin e mënyrës sesi lakuriqët e tolerojnë koronavirusin dhe kjo do të shtonte mbijetueshmërinë e njeriut ndaj Covid-19.”
Grupi i saj ka listuar hartën gjenetike të gjashtë specieve të lakuriqëve, duke përfshirë dhe atë më të madh “këmbë patkua” që dyshohet si burimi origjinal i koronavirusit, shkruan britanikja Daily Star.
Dr Vernes tha sekuencimet e fundit gjenetike janë dhjetë herë më të detajuara nga sa ishin arritur deri tani, duke përfshirë genet që aftësojnë kafshën për të fluturuar, ato që përdor për navigimin në errësirë, për mbijetesën ndaj viruseve vrasëse dhe ato të rezistencës ndaj plakjes apo kancerit.
Lakuriqet e nates jetojne 20 deri ne 30 vjet, ne varesi te species.
Bashkëautorja Prof. Liliana Davalos, biologe e universitetit Stony Brook në New York, tha: “Gjithnjë e më shumë ne zbulojmë duplikime të gjeneve dhe humbje të proceseve të rëndësishme gjatë evoluimit të tipareve të reja. Por për të zbuluar se cilat gjene janë duplikuar dhe cilat janë zhdukur, nevojitet harta e plotë gjenetike. Genomet e reja të lakuriqëve japin më qartë ndryshimet në familjet e geneve, që nuk do të ishin zbuluar në mënyra të tjera.”
Prof. Davalos shtoi: “Falë këtyre statistikave të sofistikuara ne po nisim të zbulojmë gjenetikën e ‘superfuqive’ të lakuriqëve, siç është ajo e tolerimit të koronaviruseve”.