Sulmuesi i Anglisë dhe Manchester City, Raheem Sterling, i ka mbështetur protestat që po mbahen nëpër Britani të Madhe këtë javë, duke thënë se e vetmja sëmundje të cilën janë duke e luftuar tani, është racizmi.
Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në marshin “Black Lives Matter” në Britani, përkundër paralajmërimeve nga qeveria e vendit për t’i shmangur tubimet e mëdha për shkak të kërcënimit nga pandemia koronavirus.
“Kjo është gjëja më e rëndësishme në këtë kohë, sepse kjo po ndodh vazhdimisht vit pas viti”, tha Sterling.
Protesta të mëdha janë mbajtur në Londër, Bristol, Mançester, Uolverhemton, Notingëm, Glasgov dhe Edinburg, pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd.
Floyd, 46 vjeç, vdiq gjatë arrestimit më 25 maj në Minneapolis. Katër policët e përfshirë në arrestimin e tij akuzohen se e vranë atë.
Vrasja e tij ka nxitur protesta të shumta në gjithë Amerikën.
Duke folur për BBC, Sterling tha: “Sikur me pandeminë, edhe për këtë duam ta gjejmë një zgjidhje për ta ndalur”.
“Sëmundja e vetme të cilën po e luftojmë tani është racizmi”, shtoi 25-vjeçar.