Avokati i njohur, Spartak Ngjela thotë se listat e hapura janë domosdoshmëri për votën e lirë në Shqipëri. Ai thotë se, kjo kërkesë e opozitës parlamentare është e drejt ndërsa marrëveshjen e 5 qershorit mes mazhorancës dhe opozitës, e cilëson “paçavure”.
“Nuk ka opozitë jashtë parlamentar, opozitë jashtëparlamentare jemi të gjithë. Opozita bëri gabim që doli nga Parlamenti dhe tani të mbajnë koston. Parlamentarizëm do të thotë nënshtrim i numrit, PD nuk i ka 84 vota. Listat e hapura janë domosdoshmëri, të shikojmë se kë voton populli”, u shpreh z. Ngjela.
Ish-ministri i Drejtësisë thotë se, me lista të hapura largohen nga politika shumë emra që nuk pëlqehen nga populli, por kjo nuk është e mjaftueshme për të garantuar votën e lirë pasi numërimi i votave do të bëhet sërish nga dy partitë e mëdha.
“ODIHR ka kërkuar numërim dhe administrim të votës nga organe të pavarura këta i bënë përsëri partiake. Nuk ka zgjedhje të lira në Shqipëri, këta thonë; populli voton, numërojmë ne. Vota e lirë në Shqipëri është e manipuluar nga dy partitë e mëdha. Jemi në këtë gjendje mizerabël sepse nuk ka votë të lirë, unë përkrah opozitën parlamentare. Votimin e lirë do ta sjellë sistemi i pavarur gjyqësor”, tha avokati.
Sipas Ngjelës në një kohë kur mazhoranca nuk i ka votat për të kaluar marrëveshjen e arritur me opozitën jashtë parlamentare, atëherë duhet të gjej konsensus me me opozitën brenda në Parlament.