Me Dritën tashmë të shpallur kampione, sot luhet xhiroja e fundit në Superligën e Kosovës në futboll.
Meqë puna sa i përket kampionit të sezonit ka përfunduar, situata më interesante mbetet në fundin e tabelës, ku akoma nuk dihet se cila skuadër do t’i bashkohet Vushtrrisë, Dukagjinit e Ferizajt për të rënë në Ligën e Parë.
Trepça 89’ dhe Drenica me nga 41 pikë rrezikojnë rënien, kurse matematikisht në rrezik qëndron edhe Flamurtari, me 43 pikë.
Kundërshtari i Drenicës do të jetë Dukagjini dhe kjo ndeshje pritet të sjell tri pikë të lehta për Drenicën.
Trepça 89’ dhe Flamurtari do të kenë punë më të vështirë, pasi mitrovicasit përballen me Prishtinën, kurse Flamurtari pret Gjilanin.
Gjithashtu, ndeshje luksi do të jetë ajo mes Ballkanit dhe Dritës, që tashmë ka shumë pak rëndësi, me mysafirët që janë kampionët e sezonit.
Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme luhen në orarin e njëjtë, me fillim nga ora 17:00.