Remedesiviri, hidroksihlorokina, deksametazoni… Janë këta emra të ndërlikuar ilaçesh, të cilët gjatë pandemisë së koronavirusit janë cilësuar si mrekulli.
Në krizën me virusin gjithçka funksionon shumë ngjashëm: një konstatim prej ndonjë hulumtimi paralajmëron rezultate premtuese në ndonjë prej ueb-faqeve të internetit dhe publikohet më pas në revista shkencore. Mediat, pas kësaj, hidhen menjëherë në veprim, raportojnë për ilaçet që po vlerësohen nga ekspertët, por edhe nga përfaqësuesit e shteteve të caktuara.
E njerëzit, nga frika prej gjendjes së krijuar, nxitojnë nëpër barnatore, i blejnë dhe i konsumojnë preparatet mrekullibërëse. Dhe, vetëm pas kësaj, shkenca ka mundësi që t’i shohë rezultatet dhe t’i rishikojë në hollësi. Mandej pason zhgënjimi apo shpjegimi se nën cilat kushte ilaçet përnjëmend veprojnë. Si dhe cilat janë efektet e padëshiruara që i shkaktojnë.
Çfarë tregon studimi për deksametazonin?
Shumë pak hollësi që tanimë janë të ditura burojnë prej të ashtuquajturit studim të “Recorvery Trial” në Mbretërinë e Bashkuar. Shkencëtarët aktualisht janë duke i hulumtuar ilaçet e ndryshme kundër COVID-19. Në studim kanë qenë të përfshirë më shumë se 11.500 pacientë, nga 175
klinika në Britaninë e Madhe. Një pjesë e studimit, i cili kishte në epiqendër deksametazonin, ka përfshirë 2.104 pacientë që kanë marrë për dhjetë ditë resht, nga një herë në ditë, një dozë prej 6 miligramë të ilaçit, ndërsa 4.321 pacientë kanë shërbyer si grup kontrollues. Rezultatet preliminare kanë treguar se deksametazoni do të mund ta ulte shkallën e vdekshmërisë te pacientët e sëmurë rëndë nga COVID-19. Në proporcion me grupin kontrollues, vdekshmëria te pacientët që kanë qenë të kyçur në respiratorë është ulur për një të tretën. Shkalla e vdekshmërisë te pacientët, të cilët kanë qenë në oksigjenoterapi, por që kanë qenë po ashtu të kyçur në makinat që e stimulojnë funksionimin e mushkërive, është ulur për një të pestën. Por, te pacientët që nuk është dashur të marrin trajtim me oksigjen, terapia me deksametazon nuk ka treguar ndonjë efekt. Britania e Madhe, kësisoj, do ta përfshijë menjëherë deksametazonin në trajtimin e pacientëve të prekur nga COVID-19.
Si funksionon deksametazoni?
Te pacientët e sëmurë rëndë me COVID-19, shpesh ndodh reagimi i tepruar i sistemit imunitar. Ilaçi deksametazon është një kortikosteroid artificial, por shumë efektiv, i cili ndikon në sistemin imunitar. Në këtë mënyrë ndalohet procesi i ndezjes dhe kontrollohet reagimi imunitar. Deksametazoni është i njohur tash e sa kohë dhe mund të gjendet në shumicën e barnatoreve. Çmimi është i volitshëm dhe ai është i qasshëm në të gjithë botën. Përdoret për sëmundjet e rëndomta të ndezjeve në lëkurë dhe nyje, për endemat në tru të shkaktuara nga tumoret, si dhe për parandalimin e të përzierave dhe të vjellave në rastet e pacientëve që u nënshtrohen kimioterapive.