Problematikat e hasura me pronat në bregdet duket se kanë çuar qeverinë që të marrë një masë ekstreme për menaxhimin e tyre duke shtetëzuar të gjithë vijën bregdetare shqiptare që nga Velipoja në Ksamil.
Në konsultim publik është hedhur drafti i cili bën një ndryshim në ligjin për pronat shtetërore ku janë bërë edhe dy ndryshim duke specifikuar ekzaktësisht se bregu i detit është pronë publike e paluajtshme dhe e patjetërsueshme, duke bllokuar të gjitha hipotekimet e pronave që lidhen me vijën bregdetare.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Agim Toro tha për Euronews Albania se nisma e fundit e qeverisë është e hapi i fundit i një veprimi tejet të majtë, gati komunist.
“I ngjashëm me veprimet e Enver Hoxhës në vitin ’46, ku shteti në mënyrë të dhunshme pronësoi për vete të gjitha pronat e bregdetit, pavarësisht të kujt janë. Po vendoset një diktaturë shtetërore mbi pronën që është baza e kapitalizmit. Sot po i merren pronat pronarëve dhe po ju jepen PPPP-ve, ku P-ja e fundit janë të privilegjuarit. Shteti i jep të drejtë vetes që të blerë tokat në bregdet me vlera tallëse”, tha ai.
Sipas z. Toro, konflikti për pronën në gjithë këto vite e ka krijuar shteti që tani sipas tij po instalon një diktaturë mbi pronat.
“Me dhunë dhe pa shpërblim shteti po vepron sot njësoj si diktatori Hoxha. Një nga këta që kanë prona në bregdet jam edhe unë, që sot jam emigrant për shkak të kërcënimit të shtetit ndaj meje në 2014”, tha z. Toro.