Një video e re, që tregon rikthimin e emisionit “Procesi sportiv” në ekran, ka nxitur dyshimet se moderatorja Ilda Bejleri është larguar nga “TCH”.
Aty thuhet se pas tre muajsh pezullim për shkak të pandemisë do të fillojë sërish transmetimi, por do të jetë vetëm Edi Manushi, Alesia Bami dhe analistët. Në postim mungon Ilda Bejleri dhe kjo shton dyshimet e zërave që qarkulluan disa ditë më parë, se do të largohet nga ky televizion.
Kujtojmë se verën e kaluar i dha fund rrugëtimit më shumë se 10-vjeçar në “Digitalb”, pas një përplasjeje me Dritan Shakohoxhën. Mbetet për t’u parë nëse Ilda do të mungojë te “Procesi” apo jo, ndërkohë që flitet se ka nisur negociatat me televizionin “Klan”.
Disa ditë më parë, ajo deklaroi se nuk po shfaqej në ekran, pasi programi ishte pezulluar nga pandemia e koronavirusit, por nuk dihet çfarë ndodhi që nuk u përfshi në postimin e Manushit. Aludimet se Ilda mund të largohej nga “Top Channel” erdhën pasi u pa në një foto pranë Ardit Gjebresë, në studion e tij në “Tv KLan”.
Më pas rezultoi se ajo ishte bërë pjesë e sfilatës së stilistit Joni Peçi. Kësaj here në rolin e modeles, ajo dëshmoi se i ishte rikthyer buzëqeshja pas javëve traumatike që kaloi gjatë karantinës, ku mes lotësh deklaroi se po vuante nga ankthi dhe depresioni. Tashmë që jeta po rifillon pak nga pak, edhe Ilda ka lënë pas jetën e zymtë dhe lotët, për t’iu rikthyer haresë së jetës dhe biznesit, një qendër estetike ku flitet se ka investuar shumë para.
Ilda është komentuar jo pak para karantinës, duke filluar nga largimi prej vitesh nga “Digitalb” dhe konflikti me Dritan Shakohoxhën, aksidenti i përfolur i një gruaje, edhe deri te biznesi luksoz. Të gjitha këto ngjarje në jetën e saj nuk kaluan pa bujë dhe reagime nga vetë Ilda, deri në momentin e izolimit në shtëpi për shkak të pandemisë së koronavirusit. Le të shohim nëse Ildën do ta shohim në ekran me tjetër projekt dhe tjetër televizion. /Panoramaplus.al.