Luis Manuel Blanko ka arritur që të shpëtojë mrekullisht nga pandemia e Koronavirusit, pas luftës që ka bërë me të. Kështu u fitua ndeshja më e rëndësishme e jetës së tij, ndërsa për shumë ditë ka qenë në spital dhe në gjendje kome.
Megjithëse po e respektonte karantinën në maksimum, por sërish nuk ka arritur që të evitojë marrjen e COVID-19. Trajneri që më herët ka drejtuar edhe Dinamon, ka bërë një rrëfim të gjatë dhe shokues për mënyrën sesi e ka përjetuar të gjithën këtë. Megjithëse në Ballkan dhe Shqipëri nuk jemi në kufijtë e një pandemie, pasi numrat e të infektuarëve kanë qenë shumë të vogla, duhet thënë se përshkrimi i Luis Manuel Blanko nuk i lë shumë vend një diskutimi që mund të hapet për “seriozitetin” e këtij virusi dhe sesa është “fryrë mediatikisht”, shkruan sportekpres nga Tirana.
“Po e bëja karantinën në përsosmëri. Kam shkuar vetëm dy herë në supermarket, njëherë në javë. Nuk e di se nga erdhi, asnjë lojtar, anëtar i stafit teknik apo drejtues nuk e mori Koronavirusin, vetëm unë.
Fillova të kem ethe, duke menduar se mund të jetë grip i lehtë me dhimbje fyti. Pastaj drejtori sportiv më tha që ta bëj një provë në Gjibraltar. E bëra një të martën por donte shumë kohë për të mësuar rezultatin, tre ditë. Atë natë kam qenë me 39 e gjysmë me temperaturë.
Të nesërmen në mëngjes nuk mund të ngrihesha, sepse nëse do ta bëja, nuk mbushesha dot me frymë. Në spital ata bënë një tjetër provë që ishte më e shpejtë, që doli për 20 minuta. Më çuan në një dhomë tjetër të izoluar dhe pastaj nuk mbaj mend asgjë tjetër. Unë tashmë isha në gjendje kome, kalova gjashtë ditë si këto.
Ato gjashtë ditë më kanë marrë rreth 10-12 kile. Luftova me të që të mos më vriste, të them kështu, pasi nuk ka as vaksinë dhe as antibiotik. Ndihma që mjekët bëjnë në kujdes intensiv është që ju të keni oksigjen për të luftuar me virusin. Nëse je fizikisht mirë, e rreh me siguri.
Nëse nuk je mirë dhe ke një sëmundje tjetër, është një gabim që të merr jetën. Kur u zgjova pashë infermierët duke vallëzuar. Nuk i pashë kurrë në fytyrë se ishin të mbuluar. Pastaj për gjendjen kome ku ndodhesha, isha natyrisht i pandërgjegjshëm dhe ëndërroja gjëra shumë të shëmtuara. Njerëz që i’u thërrisnin, njerëz të moshuar që donin të mbanin duart tuaja.
Pastaj u zgjova për një arsye, por kurrë nuk e kam thënë atë dhe duhet të flas me familjen time për këtë gjë. Ishte një ndjenjë e tipit: “As i vdekur dhe as i gjallë”. Kur e kuptova që u zgjova, gjithçka mund të bëja ishte të qaja”, tha Blanko.