Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, tha se shkaku i pandemisë janë pezulluar kampionatet pothuajse në të gjitha shtetet e botës. Sermaxhaj shprehet për gazetën kombëtare “Bota sot”, se edhe në Kosovë po shqyrtohet mundësia e rikthimit në fushat e futbollit.
“Çdo fillim e ka edhe fundin e vet, dhe besoj se muaji që po vjen është fundi i karantinës dhe rikthimi i jetës normale. Nëse jo i shume gjërave, i futbollit gjithsesi.
Kështu kanë deklaruar shumë kampionate të fuqishme evropiane, dhe më shumë gjasë edhe në Kosovë shqyrtohet mundësia e rikthimit në fushat e futbollit, gjithmonë me kujdes dhe rregulla strikte për ta filluar e mbaruar një lojë.
Për të mbaruar kampionatet deri me datat e caktuar nga UEFA, atëherë mesi i muajit maj është e mjaftueshme dhe besoj se deri në atëkohë do të merren masat e përgjithshme për një mbarëvajtje të kampionatit brenda rregullave të lejuara për t’u mbrojtur nga ndonjë prekje eventuale me virus”, tha Sermaxhaj për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Ish futbollisti i njohur i tha se po i mungon futbolli: “Shtatë javë u bënë që nga pezullimi i kampionatit dhe besoj që edhe pak na ka mbetur të shijojmë futbollin që aq shumë po na mungon”.