Mesfushori i Lazios, Sergej Milinkovic-Savic, ka bërë të ditur se ai nuk po e mendon mundësinë e largimit nga Lazio, veçanërisht pasi klubi italian e arriti kualifikimin për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Mesfushori kontribuoi në fitoren me rezultat 2:1 kundër Cagliarit me një goditje të bukur “vollej” për ta barazuar rezultatin e ndeshjes, para se Ciro Immobile të shënonte golin e fitores.
“Synimi im që nga dita e parë ka qenë të luaj në Ligën e Kampionëve me Lazion dhe tani e kemi arritur këtë gjë më në fund”, ka thënë mesfushori serb në intervistën e dhënë për Sky Sport Italia.
“Jam i lumtur këtu dhe mendja ime është e përqendruar në Lazio. E kam një kontratë edhe për disa vite dhe kështu që… unë do të qëndroj këtu. Agjenti im do t’i zgjidhë çështjet tjera”.
25-vjeçari ka kontratë deri në qershor të vitit 2024 dhe ai i ka shënuar shtatë gola dhe i ka bërë shtatë asiste në 40 ndeshjet e zhvilluara gjatë këtij sezoni në të gjitha garat.
Edhe pse Lazio matematikisht e ka siguruar një vend në top katërshe të Serisë A, statusi i tyre i kualifikimit në Ligën e Kampionëve nuk është 100 për qind i sigurt.
Kjo pasi që nëse Napoli e fiton Ligën e Kampionëve dhe Roma e fiton Ligën e Evropës, këto dy skuadra do të shpërbleheshin me vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Për shkak që UEFA i limiton pjesëmarrjen deri në pesë ekipe nga një vend në një turne të vetin, vendi i katërt do të binte në Ligën e Evropës.