San Francisko, një program që ndihmon restorantet dhe njerëzit në nevojë

0
Gjigandi

Kur pandemia e koronavirusit goditi vendin, miliona qytetarë të moshuar, njerëz me aftësi të kufizuara dhe të tjerë u shkëputën nga burimet e tyre të zakonshme të ushqimit. Në të njëjtën kohë, restorantet u detyruan të mbylleshin dhe të pushonin nga puna personelin e tyre. Në San Francisko, një bukëpjekëse e shkathët po siguron mbështetje duke lidhur bizneset e ushqimit me ata që kanë nevojë për ushqime. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Matt Dibble sjellë hollësitë.

Kur Hang Truong hapi restorantin e saj Noodle Girl, ajo po realizonte një ëndërr për të sjellur në Kaliforni ushqimin me të cilin u rrit në dyqanin e prindërve të saj në Vietnam. “Unë erdha këtu dhe vërtet më mungonte shija ushqimeve të gatuara nga nëna ime, sepse kur shkoj në restorante, nuk mund të gjej shijen me të cilën isha mësuar gjatë fëmijërisë sime.”
Pastaj filloi pandemia dhe ëndrra e saj mori një goditje. Noodle Girl, si shumë restorante të tjera në zonën e San Francisko, u detyruan të mbylleshin. Bukëpjekësja Lenore Estrada po përballej me të njëjtin problem. “E dija që thjesht nuk mund të vazhdonim, do të falimentonim nëse nuk do t’i pushoja njerëzit menjëherë”.
Zonja Estrada u mobilizua shpejt, dhe me një donacion të madh nga një mik në botën e teknologjisë, ajo themeloi organizatën SF New Deal. Ajo i paguan bizneset si Noodle Girl për të përgatitur ushqime të cilat shpërndahen nga vullnetarët për të moshuarit dhe njerëzit e tjerë në nevojë. “Ne po përgjigjemi në rastet kur burimet e mëparshme të furnizimit me ushqim për njerëzit janë ndërprerë. Kështu që ky grup njerëzish nuk po merrte ushqime dhe nuk kishte qasje në shërbimet për të cilat kishin nevojë.”
Me ndihmën e vullnetarëve që shpërndajnë ushqime, SF New Deal është bërë një lidhje thelbësore midis dy komuniteteve në nevojë, mes punonjësve të industrisë së ushqimit në vështirësi dhe banorëve të izoluar në shtëpi. “E kuptova se mënyra më e mirë për t’u angazhuar në këtë kohë ishte të ndihmoja të tjerët”, thotë Lina Garcia, vullnetare e organizatës SF New Deal.
Që nga marsi, organizata jofitimprurëse ka shpërndarë mbi 270,000 racione dhe ka punuar me mbi 80 restorante. “Ky program po më ndihmon të paguaj për të gjitha gjërat që më duhen në biznes. Më ndihmon ta mbaj atë gjallë dhe shpresoj se mund të zgjasë derisa sa të gjej një zgjidhje”, thotë Hang Truong, pronare e restorantit Noodle Girl. “Disa nga restorantet kanë filluar të rimëkëmben dhe po sugjerojnë që porositë ushqimore t’u jepen restoranteve të tjera që mund të jenë në vështirësi.” Lenore Estrada po pret gjithashtu kohën kur ajo do të mund të përqendrohet përsëri kryesisht në biznesin e saj të gatimit./VOA

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu