Zyrtarët gjermanë lusin Kongresin amerikan të ndalë planet e Trumpit

0
Gjigandi

Drejtuesit e katër shteteve gjermane u kanë kërkuar ligjvënësve të Kongresit të SHBA-së, që të bllokojnë planet e presidentit amerikan, Donald Trump për të ulur ndjeshëm numrin e trupave në vendin evropian.

Agjencitë Reuters dhe AP raportuan se kryeministrat e shteteve u kishin dërguar një letër 13 senatorëve amerikanë dhe anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve duke iu lutur atyre “të mos e shkëpusin lidhjen e miqësisë, por ta forcojnë atë”, duke ruajtur praninë e trupave amerikane.
Letra, e parë nga agjencitë e lajmeve dhe gazetat gjermane, u nënshkrua nga krerët e shteteve të Baden-Wuerttemberg, Bavaria, Hesse dhe Rhineland-Palatinate – ku ushtria amerikane ka prani të trupave, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Letra thoshte se me bazat e tyre, spitalet ushtarake dhe infrastrukturën tjetër, forcat amerikane në Gjermani formojnë “shtyllën kurrizore të pranisë së SHBA-së në Evropë dhe aftësinë e NATO-s për të vepruar”.
Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Berlin nuk pranoi të komentojë raportimet.
Disa udhëheqës politikë si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Gjermani kanë vënë në dyshim nevojën e qëndimit të trupave në vendin evropian.
Përkrahësit e pranisë së trupave thonë se ato janë një shenjë kryesore e angazhimit të Uashingtonit ndaj Evropës përballë përpjekjeve agresive të Rusisë për të rritur ndikimin e saj në rajon, dhe si një zonë strategjike për veprimet ushtarake amerikane diku tjetër.
Shumë kritikë kanë thënë se një ulje e numri të trupave amerikane në Gjermani, do të ishte një “dhuratë” për Rusinë.
Presidenti Trump tha muajin e kaluar se ai do të zvogëlojë numrin e trupave amerikane të stacionuar në Gjermani nga 25.000 në 9,500.
Ai e ka kritikuar Gjermaninë se nuk po shpenzon sa duhet për mbrojtjen e saj dhe se nuk ka përmbushur angazhimet në raport më anëtarësinë në NATO.
Disa zyrtarë amerikanë kanë thënë që trupat mund të ripozicionohen në Poloni, në vend që të kthehen në bazat e SHBA-së, megjithëse nuk është marrë asnjë vendim.

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu