Rusia ende pret të nënshkruaj një marrëveshje tentativë me një kompani farmaceutike shumëkombëshe për të prodhuar një vaksinë COVID-19 që po zhvillohet në universitetin e Oksfordit, megjithë akuzat se Moska është përpjekur të vjedhë hulumtimet për vaksinat, tha kreu i Fondit për Investimet e Drejtpërdrejta Ruse të premten në një intervistë me agjencinë Reuters. Kirill Dmitriev i mohoi akuzat dhe tha se Rusia, nuk ka nevojë të vjedhë sekretet sepse ajo tashmë arriti një marrëveshje paraprake me kompaninë AstraZeneca për të prodhuar vaksinën britanike në Rusi dhe se marrëveshja mund të finalizohej të premten.
“Nuk ka nevojë që të vidhet asgjë” tha Dmitriev. “Të gjitha do t’i jepen Rusisë.” Zyrtarë amerikanë, britanikë dhe kanadezë akuzuan Kremlinin të enjten se ishte pas një sulmi masiv dhe të vazhdueshëm kibernetik që synonte vjedhjen nga kompanitë farmaceutike perëndimore dhe institucionet akademike që bënin kërkime mbi vaksinat për koronavirusin dhe terapitë e trajtimit. Në një deklaratë të përbashkët, qeveritë e të tre vendeve thanë se operacioni i hakerimit filloi në shkurt dhe që nga ajo kohë ka qenë i vazhdueshëm.
Qendra Kombëtare e Sigurimit Kibernetik në Britani, pjesë e agjencisë së përgjimit të vendit, GCHQ, lëshoi deklaratën, e cila ishte e koordinuar me homologët e saj në SHBA dhe Kanada. Zyrtarët identifikuan grupin rus të hakerave APT29, si të fshehur pas hakerimeve. “APT29 ka një histori të gjatë në vënien në objektiv të organizatave qeveritare, diplomatike, ekspertëve, kujdesit shëndetësor dhe energjisë për përfitime të zbulimit, kështu që ne i inkurajojmë të gjithë ta marrin seriozisht këtë kërcënim dhe të zbatojnë këshillat e lëshuara,” tha Anne Neuberger, drejtore e sigurisë kibernetike në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare Amerikane.
Paul Chichester, drejtori i operacioneve të Qendrës Kombëtare të Sigurimit Kibernetike, tha, “Ne i dënojmë këto sulme të neveritshme kundër atyre që bëjnë punë të rëndësishme për të luftuar pandeminë e koronavirusit”. Zoti Chichester tha se grupi i hakerave rusë patjetër që funksionon si pjesë e shërbimeve të inteligjencës ruse. Të tre aleatët perëndimorë po punojnë në përpjekjen për të mbrojtur hulumtimet që lidhen me koronavirusin dhe po japin këshilla të reja për sigurinë në internet për firmat farmaceutike, universitetet dhe institutet e tjera kërkimore.
“Ne do t’i nxisnim organizatat që të njihen me këshillat që kemi botuar për të ndihmuar në mbrojtjen e rrjeteve të tyre,” shtoi zoti Chichester. Tre aleatët perëndimorë paralajmëruan për herë të parë në maj se spiunët kibernetikë të mbështetur nga shteti po përpiqeshin të vidhnin hulumtimet për koronavirusin, por ata në atë kohë nuk e identifikuan se kush ishte prapa sulmit. Zyrtarët njoftuan gazetarët pa dashur të publikohet si informacion, se Kina, Rusia dhe Irani ishin të përfshirë. Grupi i hakerave rusë së bashku me një grup hakerimi kibernetik të quajtur Fancy Bear, janë akuzuar nga zyrtarë amerikanë dhe kompani private të sigurisë në internet për hakerimin e kompjuterave të Partisë Demokrate amerikane në vitin 2016, para zgjedhjeve presidenciale.
Akuza për sulmet në internet të sponsorizuara nga Kremlin erdhi vetëm disa minuta pasi Sekretari i Jashtëm i Britanisë, Dominic Raab u tha ligjvënësve në Dhomën e Komunave se Rusia kishte kërkuar të ndërhynte në zgjedhjet e përgjithshme britanike të vitit të kaluar. Raab tha se ishte “pothuajse e sigurt” se Rusia u përpoq të ndikonte në rezultatet e zgjedhjeve, pasi dokumentet që përshkruanin hollësitë e bisedimeve anglo-amerikane të tregtisë së lirë u “morën në mënyrë të paligjshme”. Dokumentet e tregtisë u hodhën në internet, u konstatuan nga Partia Laburistee opozitës në Britani dhe u përdorën në fushatën zgjedhore për të sugjeruar se konservatorët do të nënshkruanin një marrëveshje tregtare pas Brexitit me Sh.B.A që do të ishte më e favorshme për bizneset amerikane.
“Në bazë të një analize të gjerë, qeveria ka konkluduar se është pothuajse e sigurt që aktorët rusë kërkuan të ndërhyjnë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2019 përmes hedhjes në internet të dokumenteve qeveritare të blera dhe të lëshuara në mënyrë të paligjshme,” tha zoti Raab. Zëdhënësja ie Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se pretendimet e ligjvënësit Raab për ndërhyrje në zgjedhje ishin të paqarta.
Burimi: top-channel.tv