Ruçi uron Pelosin për Ditën e Pavarësisë së SHBA: Shqipëria, krenare për partneritetin strategjik me SHBA

0
Gjigandi

Me rastin e pavarësisë së Amerikës, kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Palosi, ku i thotë se Shqipëria është krenare për partneritetin strategjik me SHBA.

Ndër të tjera kryetari i kuvendit thotë se 4 korriku është një festë jo vetëm për Amerikën, por për të gjithë botën demokratike, ndërkohë që e cilëson SHBA-në si shpëtimtare të kombit shqiptar.

“Me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si edhe në emrin tim personal, Ju dërgoj urimet e mia më të përzemërta.

4 korriku, si dita që shënon Deklaratën e Pavarësisë dhe lindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një shtet dhe komb i pavarur, është një festë e madhe dhe e bukur jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për gjithë botën demokratike.

Lindja dhe zhvillimi i Kushtetutës dhe i Demokracisë Amerikane është modeli i shkëlqyer i ndërtimit të një shteti demokratik dhe lider i botës demokratike, që jo vetëm mbron lirinë e vet, por lufton edhe për lirinë e të gjithë popujve; që jo vetëm ndërton demokracinë e vet, por nxit dhe mbështet valët e demokratizimit në të gjithë planetin; që jo vetëm krijon mirëqenie për kombin dhe qytetarët e vet, por kontribon për mirëqenien e të gjithë kombeve dhe njerëzimit; që jo vetëm garanton sigurinë dhe paqen për qytetarët e vet, por ka sakrifikuar dhe sakrifikon bijtë e vet për sigurinë dhe paqen e të gjithë njerëzimit.

RonaTyra

Vendi im, Shqipëria, është një shembull i rrezatimit të rolit e kontributit të pazëvëndësueshëm të Shteteve të Bashkuara për lirinë, demokracinë, paqen, sigurinë dhe zhvillimin e mirëqenien e popujve. Gjej rastin të përsëris mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe timen personale për Shtetet e Bashkuara, shpëtimtarët e kombit shqiptar, në momentet më kritike të historisë dhe mbijetesës sonë.

Shqipëria është krenare për partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të vazhdojë të kontribuojë në krah dhe nën udhëheqjen e tyre, si një anëtare aktive dhe e denjë e NATO-s, në aleancë më të gjithë botën demokratike, në mbrojtje të arritjeve të popujve për lirinë, demokracinë, paqen dhe mirëqenien.

Shpreh bindjen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Përfaqësuesve do të zgjerohet e fuqizohet dhe përfitoj nga ky rast për t’Ju ftuar për një vizitë zyrtare në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje me agjendën Tuaj,”- shkruan Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu