Në vitet e 70-ta dhe të 80-ta futbolli i Kosovës ka treguar rezultate shumë të mira në futbollin ish jugosllav.
E para, Trepça në vitin 1977-1978 ka qenë anëtar i ligës së parë federative, ndërsa në vitin 1978 edhe në finalen e madhe të Kupës Marshall Titos, të cilën finale e patën humbur me rezultat 1:0 pas 120 minutave nga Rijeka. E dyta, pas Trepçës Prishtina ka qenë pesë vite në ligën e parë (1983-1988).
Rexhep Xhaka është prej futbollistëve më të mirë të viteve të 70-ta. Edhe sot kujtohen lojërat e Xhakës nga gjeneratat e vjetra, që besa vlerësohet prej mbrojtësve më të mirë që ka pasur vendi ynë në atëkohë.
Xhaka ka folur për gazetën Kombëtare “Bota sot”, pak për futbollin e sotëm, pak për vitet e 70-ta dhe të 80-ta, po ashtu edhe për Trepçën që sot nuk e ka krenarinë e dikurshme.
”Bota sot”: Z. Rexhep, sa mund të përcillni tani futbollin në Kosovë?
Rexhep Xhaka: Futbollin e Kosovës e përcjelli duke ju falënderuar transmetimeve në TV, përndryshe ka kohë që nuk kam hy në stadium.
“Bota sot”: Në moshën 13 vjeçare keni filluar me futboll në klubin me renome Trepça. A mendoni se periudha e viteve të 70-ta dhe e 80-ta ka qenë periudha më e artë e futbollit të Kosovës?
Rexhep Xhaka: Po, qysh në moshën 13 – vjeçare kam filluar të stërvitem në klubin e qytetit në KF Trepça ku edhe kam përmbyll karrierën futbollistike me 600 ndeshje zyrtare. Vitet e 70-ta dhe të 80-ta normal që kanë qenë periudha më e ndritur e futbollit të Kosovës, duke marr parasysh që për herë të parë një ekip nga Kosova (KF Trepça) u inkuadrua në ligën e parë të ish Jugosllavisë.
“Bota sot”: Keni qenë prej mbrojtësve më të mirë në vendin tonë. A kanë qenë duelet më të forta në periudhën e artë të gjeneratës tuaj apo sot?
Rexhep Xhaka: Ju faleminderit për vlerësimin, besoj duelet dhe ndeshjet kanë qenë më të forta fizikisht.
“Bota sot”: Si e përshkruani at periudhë, veçmas kur Trepça ka hyrë në elitën e futbollit ish jugosllav 1977-1978, pastaj edhe atmosferën në finalen e Kupës Marshall Tito në vitin 1978 kundër Rijekës në ‘Marakana’ të Beogradit?
Rexhep Xhaka: Kanë qenë gëzimi dhe ëndrra ma e madhe e imja inkuadrimi i klubit të zemrës në elitë e atëhershme të futbollit ish jugosllav. Ka qenë festë e jashtëzakonshme në qytet e besoj edhe në gjithë Kosovën. Nuk do e harroj kurrë atë përjetim. Kurse në finalen e kupës isha në Beograd, mirëpo jo në formacion (ende sot e kësaj dite nuk e di arsyen).
“Bota sot”: Sa ka qenë vështirë të luhet si mysafirë në periudhën tuaj, ka pasur provokime në Republikat ish jugosllave?
Rexhep Xhaka: Po veç se kishin filluar provokimet ne vitin 1975 edhe ne vetë klubin tone KF Trepça, kujtoj në atë viti pra në vitin 1975 na është kufizuar e drejta e aktivizimit të 2 shqiptarëve në një ndeshje. Ne lojën me OFK Beogradin ishim vetëm 2 shqiptar unë dhe Hysni Maxhuni dhe në karantinë në Pejë para se të udhëtojmë në Beograd për ndeshje më është kumtuar lajmi se në Beograd duhet të aktivizohet vetëm njeri nga ne, dhe në atë ndeshje unë kam pushuar kurse ne ndeshjen e kthimit Hysniu pati pushuar. Kurse në ndeshjet si mysafirë normal që ka pas provokime nga më të ndryshme, sidomos në Cetinë.
“Bota sot”: Çfarë dalloni futbolli i sotëm me kohën e gjeneratës tuaj?
Rexhep Xhaka: Dallimin e futbollit me kohën tonë e shoh se tash mungon disiplina në punë, profesionalizmi, kushtet, shikueshmëria ka qenë me e madhe. Në vitet e fundit vërehet një dëshirë për përmirësim të këtyre indikatorëve, mirëpo ka shumë punë për t’u bërë.
“Bota sot”: Kombëtarja e Kosovës është shumë afër kualifikimit në Kampionatin Evropian, çfarë i duhet më shumë tani?
Rexhep Xhaka: Kombëtarja e Kosovës është krenaria momentale e jona, na bënë krenar me paraqitje e me rezultatet. Unë shpresoj shumë që ne do të kualifikohemi se ka potencial dhe dëshirë. Kosovës besoj tash çka i nevojitet është përqendrimi maksimal dhe që lojtarët tanë të jenë në formën optimale (pa lëndime) duke marr parasysh tash edhe gjendjen e krijuar nga pandemia. Shpresoj që edhe fati të na përcjell deri ne fund dhe te kualifikohemi se e meritojmë!
“Bota sot”: Trepça e krenarisë së dikurshme, sot në ligën e parë jo në Superligë. Mitrovica nuk e ka shkëlqimin e dikurshëm me futboll, pse?
Rexhep Xhaka: Gjendja dhe pozita e KF Trepça nuk përkon me emrin dhe historinë që e ka, shpresoj që klubi të këndellet dhe të kthehet aty ku e ka vendin. Kurse me klubet e futbollit qytetit të merren njerëzit e sportit dhe adekuat në pozita të caktuara. Ju faleminderit për intervistën! Shëndet e suksese në jetën dhe punën tuaj!