Edy Reja, trajneri i Shqipërisë ka dhënë një intervistë për “Il Messaggero”. Ky është një fragment i fjalëve të tij.
Stadiumi i Tiranës – “E vërteta është se askush nuk e priste këtë bum kërkesash për bileta në finalen e Ligës së Konferencës. UEFA po mendonte për një sezon eksperimental, por interesi është shtuar me kalimin e muajve dhe tani ja ku është kjo ndeshje mes dy skuadrave të mëdha. Roma-Feyenoord mund të ishte lehtësisht finalja e “Europa League”.
Vitet e fundit është luajtur në Talin dhe Belfast, nuk mendoj se është skandaloze të organizosh një finale në kryeqytetin e Shqipërisë. “Arena Kombëtare” është një xhevahir. U inaugurua më 2019 dhe respekton të gjitha standartet më të mira të UEFA-s. Është ndërtuar mbi hirin e stadiumit të vjetër “Qemal Stafa”.
Me heqjen e pistës së atletikës shikueshmëria tashmë është perfekte, në stilin e plotë anglez. Presidenti i UEFA-s, Ceferin, ka bërë një inspektim pak kohë më parë dhe shprehu opinionin e tij pozitiv. Ky është eventi i parë i këtij niveli në Shqipëri dhe i gjithë vendi është mobilizuar për të lënë përshtypje të mirë”.
Rreth Mourinhos – “Jose është protagonist i rëndësishëm i 20 viteve të fundit të futbollit botëror. Sezonet e fundit nuk kanë qenë të shkëlqyera për të, por Roma e ka rinovuar”.
Parashikimi – “Në këto raste është gjithmonë 5- me 50. Unë do të brohoras Romën, siç është e natyrshme që të ndodhë”.
Për rrezikun e përplasjeve mes tifozëve – “Shpresoj që kësaj here episode të tilla të mos përsëriten. Në Tiranë e kanë përgatitur me kujdes planin e sigurisë, për të garantuar sigurinë dhe për të mbrojtur finalen e parë europiane të organizuar në Shqipëri”.