Teksa ka shpallur listën e kuqezinjve për tri ndeshjet e muajit qershor, trajneri Edy Reja dha shpjegime para gazetarëve. Aty iu përgjigj shumë pyetjeve mbi çështje të ndryshme, që tejkalojnë edhe kombëtaren, e cila do të luajë dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndaj Islandës në transfertë më 6 qershor dhe ndaj Izraelit në shtëpi më 10 qershor. Pas dy ndeshjeve zyrtare, kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe miqësoren me Estoninë në “Arena Kombëtare” më 13 qershor.
Reja nënvizoi: “Këto ndeshje, të Ligës së Kombeve janë të rëndësishme për ne. Presim një nivel të lartë loje, për vetë objektivat që kemi. Në miqësoret e marsit, dy ndeshjet që bëmë ishin të nivelit shumë të lartë. Është fundi i sezonit dhe ka lojtarë me probleme fizike. Sot do të mblidhemi të gjithë, do të ulemi të flasim me lojtarët. Do të luajnë ata që janë në gjendje më të mirë fizike. Duam të marrim rezultate pozitive në ndeshjet zyrtare.
Duhet të kemi besim te vlerat e këtij ekipi, lojtarët më kanë treguar se kanë një psikologji të fortë dhe përqëndrim të lartë në fushë. Djemtë e dinë rëndësinë e ndeshjeve. Kam besim te ky ekip dhe paraqitja e lojtarëve në këto duele. Jemi në formë të mirë. Fokusi do jetë në anën mentale, të mos lëmë as anën fizike dhe taktike mbas dore. Ata që do zbresin në fushë do jenë më të mirët.
E pamë se si është futbolli, Roma na tregoi se edhe duke qëndruar pas fitohet, paçka se Feyenoord bëri më mirë. Duhet të kemi besimin e duhur për ndeshjet që kemi. Jam i kënaqur se kam sulmues në formë dhe që po shënojnë në ekipet e tyre. Kombëtarja duhet të ketë ekuilibër. Në fazën ofesnive është e rëndësishme të kesh kësi lojtarësh. Duhet të jemi të ekuilibruar si ekip, në mbrojtje dhe sulm. Të fokusohemi në të tria repartet për rezultat pozitiv.
Lista e të thirrurve? Po i ndjek të gjithë lojtarët, edhe ata në moshë të re. Kemi shumë lojtarë dhe nuk dua të nënvlerësoj asnjë, si rasti i Asllanit që ka bërë një sezon super në Serie A. Është mirë kur ata i kemi këtu, stërviten me grupin.
Pse mungon Strakosha? Ai është duke kërkuar një klub të ri, kemi folur dhe më ka kërkuar leje për disa ditë, sa të zgjedhë skuadrën e së ardhmes. Dua të ketë një ekip të mirë dhe ia uroj. I kam dhënë leje të zgjidhë punët e tij. Objektivi? Këto dy ndeshje do tregojnë vlerat tona, nuk kemi alibi. Jemi rritur së fundmi. Duam të bëjmë atë hapin cilësor për të qenë në arenën ndërkombëtare.
Mungesat? Nga Manaj dhe lojtarët që nuk janë pjesë, por kanë qenë me ne, kanë pasur problem fizike. Manaj ka nxjerrë krahun, Broja është me Covid. Para ndeshjes me Izraelin do bëjë sërish test nëse mund ta kemi. Bare dhe Laçi janë të dëmtuar.
Nëse ia dalim të fitojmë grupin do jetë krenari për ne. Kur e nisëm ishim në 50 për qind të mundësive, sot jemi në 90 për qind të asaj që mund të bëjmë. Problematika e Islandës qëndron, është larg. Ne e dimë që do ketë si këto, kemi pasur edhe herë tjetër kundërshtarë të tillë. Islanda është mirë fizikisht, Izraeli më i rrezikshëm.
I kam studiuar dhe e di si luajnë. Jemi rritur si ekip dhe e kemi treguar me Spanjën. Nëse kalojmë nga Liga C e Kombeve në atë B, kjo do të na bëjë krenarë. Nuk mund të bësh parashikime, të tjera panifikojmë dhe të tjera na dalin në fushë. Tapeti i blertë i zhduk diferencat”.
Në fund një mendim edhe për finalen e “Conference League”, që u zhvillua në Tiranë: “Si italian më vjen mirë që fitoi Roma. Kemi edhe Kumbullën atje, kjo ishte një shtysë më shumë. Më erdhi keq që nuk luajti. Iu kërkoj falje tifozëve të Lazios, sepse në finale bëra tifo për Romën. Feyenoord luajti mirë, më goditi më shumë reagimi i tifozëve të tyre.
Bënë një reagim fantastik dhe në fund i mbështetën lojtarët. Stadiumi dhe organizimi ishin në shkallë sipërore. FSHF bëri një punë të mirë. Kisha frikë në fund për trazira, por falë Zotit nuk ndodhi gjë. I treguam botës se dimë ta organizojmë një event të tillë. Ishim në qendër të vëmendjes së botës, finalen e transmetuan 155 vende”.