Boksieri bullgar, Kubrat Pulev, ka thënë se nuk do të heqë dorë nga mundësia për t’i fituar titujt botërorë të kategorisë së peshave të rënda dhe ka paralajmëruar Anthony Joshuan se duhet të luftojë ose ta lirojë titullin,.
Pulev është sfiduesi i detyrueshëm i Joshuas për titullin IBF, por meçi i tyre, i paraparë të mbahej më 20 qershor, u shty për shkak të koronavirusit.
Kjo çoi drejt zërave se Pulev është duke u paguar për të hequr dorë, në mënyrë që Joshua të përballet me Tyson Furyn për të katër titujt e peshave të rënda.
“Unë nuk mund ta kuptoj pse ne ende jemi duke bërë shtyrje në vend se të fiksojmë një datë dhe një vend dhe t’i kthehemi punës? Mjaft është mjaft. Mezi po pres që ta fitoj këtë meç”, ka thënë Pulev.
“Ekzistojnë dy opsione. Ose luftoni, ose lironi titullin”, ka shtuar ai.