Plakja e popullsisë, ritmet e larta të emigracionit dhe pasojat e Covid-19 në shëndetin e popullatës kanë sjellë rënien e banorëve në Shqipëri në vitin 2021.
Sipas të dhënave të institutit të statistikave INSTAT, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2022 rezulton 2,793,592 banorë, duke pësuar një rënie me 1.3 për qind, krahasuar me 1 janar 2021. Ky është viti i pestë radhazi me tkurrje të numrit të banorëve.
Gjatë vitit 2021, raporti i lindjeve me vdekjet ishte për herë të parë negativ me një rënie me 3,296 banorë.
Gjatë vitit 2021 u konstatua dhe një rritje e ndjeshme e emigracionit, ndërsa numri i të kthyerve mbetet i ulët.
INSTAT raportoi se numri i imigrantëve në vitin 2021 ishte 9,195 persona dhe numri i emigrantëve ishte 42,048 persona. Numri i të larguarve, sipas grafikëve të INSTAT, ishte më i larti që nga viti 2019 dhe nga 2014-a.
Migracioni neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve) pësoi një rritje në vlerë absolute, krahasuar me një vit më parë: nga -16,684 në -32,853 banorë në 2021.
Në rritje ishte dhe mosha mesatare e popullsisë.
Sipas INSTAT, Në 1 janar 2022 mosha mesatare e popullsisë rezulton 38.2 vjeç nga 37.6 vjeç që ishte më 1 janar 2021.
Raporti gjinor i popullsisë gjithsej më 1 janar 2022 ka pësuar rënie në krahasim me 1 janar 2021: nga 99.3 në 98.6 meshkuj për 100 femra.
Në vitin 2021 numri i emigrantëve ishte 42.048 persona dhe numri i imigrantëve ishte 9.195 persona.
Tirana, Durrësi dhe Fieri kanë peshën më të lartë në popullsinë gjithsej.
Më 1 janar 2022 Tirana zë rreth 32.9 për qind të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me nga 10.4 për qind dhe 10.0 për qind përkatësisht.
Sa i përket qarqeve të tjerë, pesë prej tyre zënë respektivisht nga 2 për qind deri 5 për qind të popullsisë gjithsej.
Më 1 janar 2022 popullsia u rrit vetëm në një qark të vendit
Përllogaritjet e popullsisë më 1 janar 2022 tregojnë se vetëm një qark i vendit shënojë rritje të popullsisë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa njëmbëdhjetë qarqet e tjerë shënuan rënie të popullsisë. Rritja u shënua në Tiranë (+ 0.8 për qind).
Në të kundërt, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet: Gjirokastër (- 4.7 për qind), Berat (- 3.7 për qind) dhe Dibër (- 3.6 për qind).
Qarku me raportin e varësisë së të rinjve më të lartë është Kukësi (33.5 për qind), i cili po ashtu rezulton edhe si qarku me raportin e varësisë së të moshuarve më të lartë (26,2 %), ndjekur nga qarku i Lezhës me (26.1 për qind).
/abc24.al/