Policia shqiptare e vendosur për të forcuar më tej bashkëpunimin me Europol

0
12
Gjigandi

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Gledis Nano zhvilloi një takim me Drejtoreshën Ekzekutive të Europol, Catherine De Bolle në selinë e Europol në Hagë, Holandë.

Në një njoftim në rrjete sociale, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se takimi u zhvillua për prezantim pas marrjes së detyrës nga Nano, si dhe pas riemërimit të De Bolle në mandatin e saj të dytë.

Takimi u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve dhe kontributit që policia shqiptare jep jo vetëm në sigurinë e vendit, por edhe të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu u diskutua rritja e dimensionit të Policisë së Shtetit në operacionet e drejtuara dhe të koordinuara nga Europol.

Të dy përfaqësuesit u shprehën të vendosur për të forcuar më tej bashkëpunimin midis policisë shqiptare dhe Europol.

Sipas njoftimi të policisë, De Bolle vlerësoi rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën kundër narkotikëve e trafiqeve, si dhe ndaj krimeve kundër pronës, duke vënë theksin në rezultatet e arrira nga Task Forca Antiskifter.

Në anën tjetër, Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano siguroi Drejtoreshën e Europol se Policia e Shtetit është e vendosur të bashkëpunojë me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.

“Rizgjedhja juaj në krye të Europol është një sinjal i mirë për të thelluar bashkëpunimin në drejtim të hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta kundër grupeve kriminale që veprojnë në fushën e narkotikëve, krimeve ndaj personit e pronës, si dhe të krimeve ekonomike e kibernetike”, u shpreh Nano.

Nano e vlerësoi Task Forcën Antiskifter si një model suksesi të bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me Europol.

/abc24.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu