Rifillimi i Serie A në 13 qershor siç është rënë parimisht dakort ështe ende në pikëpyetje. Protokolli sanitar i detyron klubet të plotësojnë shumë kushte përsa u përket seancave stërvitore në grup që do të nisin këtë të hënë, për të cilat pjesa më e madhe e skuadrave të Serie A nuk janë dakort dhe nuk duan t’i plotësojnë.
Ndërkohë një tjetër problematikë është se ndryshe nga Gjermania ku izolohet vetëm i infektuari në rast se rezulton pozitiv me COVID-19, në Itali në rast se një lojtar rezulton pozitiv kur gara të ketë filluar, izolohet e gjithë skuadra dhe në këtë rast i bie që kampionati të përfundojë përpara kohe. Mbi këtë çështje është shprehur edhe presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina i cili i ka bërë thirrje qeverisë dhe ligës italiane të futbollit të arrinë një marrëveshje për rifillimin e kampionatit.
“Ka vështirësi. Duhet të lejojmë një ndryshim në protokoll, së bashku me Spadafora dhe Speranza, i cili mund ta kthejë stërvitjen individuale në kolektive. Na shqetëson shumë çështja tjetër, që nëse del dikush pozitiv, atëherë i gjithë ekipi futet në karantinë. Është një çështje për të cilën ne përballemi me vendosmëri, por nga ana tjetër mundohemi të shmangemi një marrëdhënie të stresuar, që sjell tensione dhe bëhet pengesë për rikthimin e sezonit”, shprehet Gravina, i cili më tej pyete edhe për një opsion tjetër për përfundimin e garës”.
“Ideja e ndeshjeve play-off? Mund të jetë një mundësi, nuk është hedhur poshtë. Duhet të jemi gati për çdo lloj opsioni. Tani ekziston mundësia që Serie A të rinisë më 13 qershor me një kalendar të ngjeshur. Sidoqoftë ne duhet të jemi gati për gjithçka, ndaj edhe po shohim edhe për opsione të tjera, siç janë edhe ‘play-off’-et”, nënvizon Gravina.