Sot është pensionuar komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Malishevë, Aziz Telaku. Për këtë qëllim, bashkëpunëtorët e njësisë që ai ka komanduar deri më sot, e kanë organizuar edhe një ceremoni, në të cilën, krahas bashkëpunëtorëve dhe familjarëve të tij, morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtori i Urbanizmit, njëherit ish drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ahmet Morina, dhe zyrtarë të tjerë.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka uruar Aziz Telakun për pensionimin, përderisa e ka vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e tij, që nga formimi i kësaj njësie e deri më sot. “Keni dhënë një kontribut të madh në themelimin e njësisë së zjarrfikësve dhe të shpëtimit në Komunën e Malishevës, dhe gjatë gjithë këtyre viteve keni punuar jashtëzakonisht shumë në ngritjen e njësisë dhe kryerjen e obligimeve, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historikun e kësaj njësie, me rëndësi të madhe në Komunën e Malishevës”, ka thënë kryetari, duke e uruar Telakun për pensionimin e tij.
Edhe bashkëpunëtorët e tij në NjZSH, e kanë uruar për pensionimin dhe për punën e tij, si në themelimin e njësisë, e po ashtu edhe për punën e palodhshme deri në pensionim, duke e falënderuar për punën e tij.
Ndërsa vet komandanti i njësisë, Aziz Telaku, i ka falënderuar të gjithë për punën dhe bashkëpunimin e jashtëzakonshëm, gjatë këtyre viteve në njësinë më të rëndësishme të intervenimeve, si në ngritjen dhe rritjen e kapaciteteve, ashtu edhe për respektin e treguar, gjatë gjithë detyrës së tij në drejtimin e njësisë.