E nisi aventurën i vetëm dhe ia doli pas rreth 16 orësh. Kështu ka ndodhur me një turist francez, i cili ditën e djeshme është ngjitur në shtigjet pyjore të Llogorasë në drejtim të malit të Karaburunit.
Në kërkim të gjirit të Shën Andreas, ai ka humbur kontaktet me të vetët.
Miku i tij, kur ka parë se ka munguar kontakti me turistin, ka njoftuar në postën e policisë Orikum. Pesë punonjësit e policisë, së bashku me specialistë të zonave të mbrojtura, në bazë të koordinatave të nisura më herët nga turisti francez, kanë shkuar deri në vendin që ata mendonin se mund ai të ndodhej.
Por më pas ka qenë vetë turisti, i cili ia ka dalë. Turisti ka mbërritur në Llogora në agim të ditës së re dhe ka njoftuar mikun e tij në Tiranë.
Por ky nuk është rasti i parë. Në 16 maj, pesë të rinj holandezë u ngjitën në malin e Çikës dhe në majën e Qores, njëri prej tyre ka rënë duke dëmtuar njërën këmbë. Edhe pse forcat policore shkuan në ndihmë, u desh helikopteri, i cili ka shpëtuar turistët holandezë. Të shumta kanë qenë raste të tilla, ndërkohë që zona matanë Karaburunit nuk ka valë, ç’ka ka shtuar rastet e humbjes së kontakteve. Rastet që turistët e huaj kanë humbur rrugën janë të shumta në këtë zonë, madje disa prej tyre kanë qëndruar edhe me ditë të tëra në pyllin e Llogorasë, ku kanë qenë te rrezikuar dhe nga kafshët e egra.
Një turiste që ka qenë e vetme aty para disa vitesh, ka shpëtuar mrekullisht nga ujqërit. Kamerat kurth të vendosura në Llogora kanë kapur një kope me ujqër, ndërkohë që afërsi të kësaj zone ka qenë e strehuar turistja e huaj. //