Partizani është ndër klubet e vetme në Shqipëri që prej një dekade, përveç ajrit, paguan për gjithçka tjetër që ka të bëjë me mbarëvajtjen e një ekipi futbolli. Duke qenë i vetmi klub 100% privat dhe pa shtëpi që nga marsi i 2010-ës, Partizani paguan për terrenet stërvitore, stadiumet, akomodimet e lojtarëve, hotelet ku grumbullohen, pa llogaritur edhe standardin e rrogave, ku në 3 sezonet e fundit është klubi me buxhetin dhe shpenzimet më të larta.
Duke bërë llogaritë e të gjithë këtyre komponentëve, me një matematikë të thjeshtë del se të kuqtë e kryeqytetit kanë dalë me fitim në këtë periudhë izolimi, pasi në përgjithësi të kuqtë i kanë paguar lojtarët me afat 11 ose 12-mujor, duke qenë se kanë marrë pjesë në Europë në sezonet e fundit dhe maksimumi 2 javë pushim kanë qëndruar lojtarët. Natyrshëm lind pyetja: Pse del me fitim Partizani në këtë periudhë?
Prej dy muajsh “demave” nuk u është dashur që të paguajnë për stadiumet që kanë të bëjnë me ndeshjet pritëse, ku minimumi vërtitet te rreth 5 milionë lekë të vjetër për ndeshje. Gjatë kësaj periudhe, të kuqtë duhet t’i kishin luajtur 5 ndeshje si pritës, ku bën pjesë edhe derbi, ku minimumi i bie që kanë kursyer rreth 30 milionë lekë për stadiumet.
Në dy muajt e fundit është kursyer edhe pagesa për terrenet stërvitore të ekipit të parë, por edhe për ndeshjet dhe stërvitjet e Partizanit B dhe të skuadrave të moshave.
Gjithashtu, me vendimin për reduktimin e pagave të milionerëve, ku ata nuk kanë marrë më shumë se 30-40%, i bie që sërish klubi i kuq ka kursyer shuma të konsiderueshme. Gjithashtu, nuk është paguar edhe për autobusët që klubi vë në dispozicion të tifozëve kur luajnë në transfertë. Partizani shpesh ka qenë edhe pjesë e Komisionit të Disiplinës, duke u dënuar me gjoba të majme. Kështu që, në total, minimumi Partizani mund të ketë kursyer mbi 100 milionë lekë në këtë periudhë pandemie, por natyrshëm që disa prej tyre do të paguhen më vonë në mënyra të ndryshme.