Gazetari në Shkodër Senad Nikshiqi ka siguruar pamjet nga momentet kur një person i vendos flakën makinës së efektivit të policisë Sokol Kroni, në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Siç shihet dhe në videon e siguruar nga Panorama, një person, me kapuç në kokë, me duar në xhepa, afrohet qetësisht pranë makinës së parkuar të efektivit dhe i vendos flakën.
Më pas ai largohet me vrap mes tymit e flakëve që shkrumbuan mjetin.
Policia e Shkodrës njoftoi mbi ngjarjen se:
Më datë 14.05.2022, rreth orës 04:00, në lagjen “Tre Heronjtë”, Shkodër, është djegur pjesërisht mjeti tip “Mitsubishi” në pronësi të shtetasit S. K., 54 vjeç, me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë Shkodër. Automjeti ka qënë i parkuar përpara banesës së këtij shtetasi.
Vijojnë veprimet hetimore për përcaktimin e rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.