Orban lavdëron ofensivën turke në Siri

0
Gjigandi

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka lavdëruar ofensivën ushtarake të Turqisë në Siri dhe ka thënë se kjo do të ndihmojë në parandalimin e një vale të re të refugjatëve, të cilët do të kërkonin të vinin në Evropë.

Orban ka thënë se Bashkimi Evropian duhet t’i japë garanci financiare Turqisë, që ta ndihmojë të zhvillojë infrastrukturë në zonat e reja të kontrolluara nga Ankaraja në verilindje të Sirisë.

Në të kundërtën, ai tha se “mbi tre milionë migrantë” mund të largohen nga Turqia dhe të nisen drejt Evropës përmes “Rrugës Ballkanike”.

“Qindra-mijëra më pas do të shkonin në Greqi nga Turqia dhe nga Greqia në Ballkan. Prej Ballkanit ata (migrantët) do të niseshin drejt kufirit hungarez ose kroat”, u shpreh kryeministri hungarez, Orban.

Ankaraja nisi një ofensivë ushtarake më 9 tetor për të larguar nga kufiri me Siri forcat kurde dhe për të krijuar “një zonë të sigurt” ku planifikon të vendosë 3,6 milionë refugjatë, që aktualisht gjenden brenda Turqisë.

RonaTyra

Sulmi i Turqisë ndaj forcave kurde – të cilat Ankaraja i konsideron terrorist – nisi pasi presidenti amerikan, Donald Trump më herët gjatë këtij muaji, vendosi të tërheqë forcat amerikane nga ky rajon.

Rusia dhe Turqia janë pajtuar që të kryejnë patrullime të përbashkëta në këto zona, që paraprakisht ishin nën kontrollin e forcave kurde.

Turqia është kritikuar për ofensivën e saj gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper e quajti ofensivën turke në Siri “të paarsyeshme”, por megjithatë, gjatë takimit që u mbajt në Bruksel më 24 tetor, anëtarët e NATO-s pranuan se mund të bëjnë pak për të ndëshkuar Turqinë.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka krijuar lidhje të ngushta me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoan, i cili personalisht e ka falënderuar Orbanin për “mbështetjen” e tij. Dy liderët pritet të takohen në Budapest më 7 nëntor. Ndërkaq, presidenti rus, Vladimir Putin do të vizitojë Hungarinë javën e ardhshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu