Në 6 vitet e fundit në Shqipëri kanë hyrë mbi 132 mijë turistë rusë.
Shqipëria po bëhet gati për sezonin turistik ku qeveria për të thithur sa më shumë vizitorë ka hequr vizat me shumë vende, përfshirë edhe Rusinë.
Megjithëse fjala e presidentit Volodimir Zelenski në parlamentin shqiptar, hapi diskutimin nëse turistët rusë duhet apo jo të ndalohen në Shqipëri.
Në 2016-tën, në Shqipëri hynë mbi 15,000 turistë dhe deri më 2021 numri i vizitorëve rusë është dyfishuar.
“Shqipëria nuk e ka luksin, ka nevojë për çdo lloj turisti. Duhet të ndahet pjesa politike me pjesën e biznesi. Ne kemi nevojë edhe për një turist të vetëm, jo më për një treg të madh siç është Rusia”, u shpreh tur operatori Fatos Cerenishti.
“Mendoj që shteti duhet të gjejë mënyrën për t’i filtruar ato njerëz. Këtu të mos të vijnë ata njerëz që janë kriminelë luftë apo vijnë për qëllime të tjera. Nuk mendoj që populli rus që është viktimë e një diktature, të mos vijë për pushime”, tha tur operatori Rrahman Kasa.
Në 6 vitet e fundit në Shqipëri kanë hyrë mbi 132 mijë turistë rusë. Sot ngrihet pyetja nëse këta turistë duhet të vijnë në Shqipëri apo jo?
Tur Operatori Besnik Vathi, mendon ndryshe. Për të vendimi pro ose kundër nuk do të ndryshonte asgjë sa i takon të ardhurave që vijnë nga sezoni turistik.
“Ardhja e turistëve rusë në Shqipëri nuk është në numër të madh. Ajo ka filuar me fluturime çarter në vitin 2019, u ndërpre në 2020 dhe në 2021 disa fluturime tepër të limituara. Nëse llogarisim si peshë specifike në totalin e turizmit shqiptar, pesha është e papërfillshme”, thotë Vathi.
Sipas tij, gjatë kohës së pandemisë turizmi në Shqipëri është mbajtur nga tregje të reja.
“Edhe këtë vit qeveria shqiptare ka ndërmarrë heqjen e vizave nga disa vende që filluan të vijnë për herë të parë vitin e kaluar dhe do vazhdojnë të vijnë edhe këtë vit”, sipas Vathit.
Për një pjesë të tur operatorëve ndalimi i turistëve rus as nuk duhet të mendohet, në një kohë kur agjensitë e dy vëndeve po përpiqen ta konsolidojnë më shumë bashkëpunimin mes tyre.
“Është një treg i madh i cili sapo kishte filluar të frekuentonte bregdetin shqiptar dhe dëmi do jetë për momentin por edhe për perspektivën. Është një numër i konsiderueshëm turistësh”, deklaroi Cerenishti.
“Sidomos këtë vit ishim në diskutime me operatorë të fuqishëm nga ky vend për të rritur shkëmbimet turistike”, tha Vathi.
Në 6 vitet e fundit në Shqipëri kanë hyrë mbi 132 mijë turistë rusë./Euronews Albania