As edicioni 2019/2020 nuk po i shpëton një përfundimi të turpshëm. Por, po shkon drejt fundit njësoj sikurse kampionatet e kaluara – nën përcjelljen e akuzave dhe dyshimeve të forta dhe të turpshme për kurdisje të rezultateve. Kur kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro deri në fund, Drita kryeson me vetëm një pikë më shumë sesa Gjilani dhe dy më tepër sesa Ballkani, i cili dy ndeshjet e fundit do t’i zhvillojë pikërisht kundër dy ekipeve të para.
Por, tashmë pak po diskutohet dhe analizohet në futbollin kosovar për këtë luftë sikurse për atë të mbijetesës. Debati është zhvendosur te fenomeni i quajtur “kurdisje”, i cili që nga viti 2000 e ka degraduar sportin më të popullarizuar në vendin tonë.
Shkak është bërë ndeshja e xhiros së fundit ndërmjet Trepçës ’89 dhe Llapit, të cilin takim të vlefshëm për ta e fituan pikërisht mitrovicasit me rezultat 5:4, në një mënyrë tepër të dyshimtë, e të cilat dyshime i bën të forta rezultati, rrjedhja e lojës, fakti që Trepçës ’89 i duhej domosdoshmërish fitorja e jo edhe Llapit, e po ashtu koalicioni i këtyre dy klubeve në kauzën opozitare të tyre kundër presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi. Mbase, kjo edhe është një arsyeje që i ka dhënë pompozitet të madh kësaj ndeshje të dyshimtë.
Sikur të ishte ndeshja e vetme e kampionatit e dyshuar dhe të mos kishte tjera. Por, e vërteta është tjetër. Kjo ndeshje është vetëm njëra nga shumë ndeshje tjera të dyshimta, e që sigurisht se të tilla janë rreth dhjetë sosh, raporton Front Online.
Në kampionatin e Kosovës ka dyshime të forta se ndeshjet po manipulohen përmes tri-katër formave të ndryshme, shkruan Front Online. Përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta të prijësve të klubeve për trukim. Po ashtu, përmes aleancave të klubeve – skuadrat që kanë mbetur jashtë objektivave ndaj një ekipi mik luajnë me ekip të dytë kurse ndaj një kundërshtari tjetër e jep 100 përqindëshin. Pastaj në shprehje vjen edhe forma e manipulimeve përmes gjyqtarëve. E mbi të gjitha përmenden edhe skenarët me tendencë përcaktimi se kush të avancojë edhe kujt t’i ndalet arritja e objektivit.
Pikërisht, FC Prishtina është ankuar se me skenarë është ndalur në luftën e saj për titull. Bardhekaltrit janë në vendin e katërt pa shpresa për titull që nga ndeshja me Gjilanin, ku referimi ishte në disavantazh të tyre dhe prishtinasit u ankuan se skenarët e të fuqishmëve po ia pamundësojnë titullin tash e shtatë vjet.
Edhe Ballkani është ankuar se padrejtësisht po pengohet në luftën për titull dhe se futbollistëve të vet duhet të luftojnë kundër shumë palëve për një fitore.
Nën dyshime të forta kanë kaluar edhe disa ndeshje tjera. Spikatin ato në mes Flamurtarit e Dukagjinit (4:3), Ballkanit – Llapit (5:1), Llapit – Dritës (4:0), etj.
Derisa prokurori Besim Kelmendi shihet në lëvizje, ende nuk ka asnjë “goditje” të institucioneve të drejtësisë ndaj keqbërësve. Ndonëse, Kosova tashmë ka ligj adekuat kundër këtyre dukurive. Dënimet me të holla prej 10 mijë deri në 50 mijë euro dhe ato prej 8 vjetësh burgim, të parapara me ligj dhe kodin penal, vazhdojnë të mos shqiptohen në futbollin kosovar të degraduar nga fenomeni “kurdisje”.
Njësoj sikurse mungojnë dënimet sportive të parapara me aktet normative të FFK-së, e cila përkundër të gjitha këtyre, para pak ditësh doli me një komunikatë duke e thënë se gjithçka është në rregull. “Komiteti Ekzekutiv i FFK-së analizoi dhe shqyrtoi rrjedhën e garave duke konstatuar se deri më tash kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në përmbyllje të garave në Ipko Superligë, garat kanë rrjedhë të mirë me gjithë disa kritika e pakënaqësi të shprehura, por që në përgjithësi nuk kanë ndikuar në gara”, thuhej në komunikatën e 14 korrikut të organit më të lartë të FFK-së.
Mbetet të shihet se çfarë do të bëjë UEFA, e cila ka kompani të specializuar për t’i monitoruar kampionatet e vendeve anëtare dhe për të identifikuar ndeshje të trukuara.