Pronari i një klubi të Premierligës i ka paralajmëruar klubet e tjera se ata do të përballen me një verë kaotike nëse sezoni nuk rinis, përderisa shtoi se ka 40 për qind mundësi që sezoni të anulohet.
Pronari, i cili foli për Sky Sports por preferoi të mbetet anonim, thotë se shumë lojtarë nuk duan të kthehen në punë ende dhe beson se klubet që janë afër fundit të tabelës do të ngrenë padi pa marrë parasysh se me çfarë metode vendoset tabela e ligës, nëse sezoni përfundohet para kohe.
Ai beson se ka 40 për qind mundësi që sezoni 2019/20 të anulohet, duke shtuar se një gjë e tillë do ta bënte verën tepër kaotike për klubet.
“Askush nuk e di se si do të rregullohet situata nëse nuk kthehemi të luajmë sërish. Unë ende besoj se opsioni më i mirë mund të jetë të mos rrëzohet askush nga liga dhe sezonin tjetër të luajmë me 22 ekipe, duke i promovuar nga Championshipi Leedsin dhe West Bromin”.
Opsioni i anulimit të sezonit aktual u diskutua për herë të parë në takimin e së hënës mes aksionarëve të Premierligës.
Federata e Futbollit e Anglisë e ka bërë të qartë se nuk do ta aprovojë ndonjë vendim që e bën këtë sezon të pavlefshëm ose ta lejojë që asnjë klub të mos bjerë nga liga. Në këtë mënyrë, zgjidhja e vetme mbetet përfundimi i ligës në bazë të tabelës aktuale.
Nëse përdoret formula e thjeshtë (në bazë të mesatares së pikëve të fituara për ndeshje), Bournemouth, Aston Villa dhe Norwichi do të binin nga liga, mirëpo kjo gjë mund të ndryshojë nëse merret parasysh proporcioni mes ndeshjeve si vendas dhe atyre si mysafir.
“Çfarëdo që të ndodhë, klubet në zonën e rrezikut do të ngrenë padi, për këtë arsye unë preferoj të vendoset të mos bjerë askush nga liga”, shtoi pronari i klubit.