Një grup shkencëtarësh në Britaninë e Madhe, në punën e tyre për COVID-19, përmes një aplikacioni për gjurmimin e simptomave, kanë zbuluar se ekzistojnë 6 lloje të koronavirusit, që dallojnë ndërmjet vete për shkak të simptomave.
Ky ekip ekspertësh që e filluan hulumtimin janë nga “Kings College” në Londër.
Sipas studimit të këtyre ekspertëve, këto 6 lloje të simptomave ndërlidhen me anë të infeksionit dhe me nevojat e pacientëve për frymëmarrje artificiale përmes oksigjenoterapisë dhe respiratorit.
Ky zbulim mund të ndihmojë mjekët të parashikojnë se cilët pacientë me COVID-19 janë më të rrezikuar dhe mund të kenë nevojë për trajtim në spital.
“Nëse në ditën e pestë mund të parashikoni se kush janë këta njerëz, ju keni kohë t’u jepni atyre mbështetje dhe ndërhyrje të hershme, të tilla si monitorimi i oksigjenit në gjak dhe niveli i sheqerit, dhe të siguroheni se ata janë të hidratuar siç duhet”, tha Claire Steves, një mjek që ishte pjesë e studimit.
Përveç kollës, etheve dhe humbjes së nuhatjes, shpesh të theksuara si tre simptomat kryesore të COVID-19, të dhënat e aplikacionit treguan edhe për simptoma tjera që përfshjnë dhimbje koke, dhimbje të muskujve, lodhje, diarre, konfuzion, humbje të oreksit dhe gulçim.
Rezultatet e nxjerra nga ky aplikacion ndryshonin dukshëm mes të sëmurëve. Disa kishin simptoma të butë, të ngjashme me gripin ose një skuqje dhe të tjerët pësuan simptoma akute ose vdiqën.
Studimi, i lëshuar në internet në 16 qershor, por jo i shqyrtuar nga shkencëtarët e pavarur, përshkroi gjashtë llojet e COVID-19 si:
1. “Sikur grip” pa ethe: Dhimbje koke, humbje të aromës, dhimbje muskulore, kollë, dhimbje të fytit, dhimbje në gjoks.
2. “Sikur grip” me ethe: Dhimbje koke, humbje të aromës, kollë, dhimbje të fytit, zë i ngjirur, ethe, humbje e oreksit.
3. Gastro-intestinal: Dhimbje koke, humbje të aromës, humbje e oreksit, diarre, dhimbje të fytit, dhimbje në gjoks, pa kollë.
4. Nivel i parë i rëndë: Dhimbje koke, humbje e aromës, kollë, ethe, ngjirje e zërit, dhimbje në gjoks, lodhje.
5. Nivel i dytë i rëndë: Dhimbje koke, humbje e aromës, humbje e oreksit, kollë, ethe, ngjirje e zërit, dhimbje të fytit, dhimbje në gjoks, lodhje, konfuzion, dhimbje muskulore.
6. Niveli i tretë i rëndë: Dhimbje koke, humbje e aromës, humbje e oreksit, kollë, ethe, dhimbje të fytit, dhimbje në gjoks, lodhje, konfuzion, dhimbje muskulore, gulçim, diarre, dhimbje barku.
Sipas studiuesve, pacientët me simptomat e nivelit 4 dhe 5 janë më të rrezikuar dhe kanë mundësi më të mëdha që të përfundojnë në spital dhe të trajtohen me oksigjenoterapi.